E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria në ikje ka ezauruar 90% të deficiti buxhetor, të vetëpërmbahet

TIRANË- Përfaqësuesi i grupit të punës për programin qeverisës PS-LSI, Ilir Beqja ka reaguar në lidhje me deklaratat kryeministrit në detyrë Sali Berisha i cili në mbledhjen e sotme të qeverisë deklaroi se po i dorëzon mazhorancës së re një ekonomi të stabilizuar.

Në një konference për shtyp Beqja,tha se situata është e vështirë pasi në pesë muajt e parë të vitit nga tatimet dhe doganat janë arkëtuar 105 milion dollarë më pak se programi i fillimvitit.

Beqja  i bëri thirrje qeverisë që të tregohet e vetëpërmbajtur në vendime deri në betimi ne qeverisë së re, teksa i kërkoi Ministrisë së Financave që të bëjë publike treguesit fiskal për 6 muajt e parë të këtij viti dhe të të mbledhë me përgjegjshmëri detyrimet, të ndërpresë negociatat për kontrata e projekte me financues të ndryshëm që e thellojnë borxhin e vendit, ndërsa i kërkoi Thesarit që të garantojë pagesat e ndihmës ekonomike, pagesat e personave me aftësi të kufizuar, të rrogave e pensioneve, etj.

“Situata është e vështirë. Në 5 muajt e parë të vitit nga tatimet dhe doganat janë arkëtuar 150 milionë dollarë më pak se programi i fillimvitit. Vetëm në muajin qershor mosrealizimi është shtuar edhe me rreth 50 milionë dollarë të tjerë. Me këto ritme, dhe duke pasur parasysh gjendjen e vështirë të ekonomisë, ekspertët tanë parashikojnë që mosrealizimi të arrijë në 400 milionë dollarë deri në fund të vitit. Nuk mund të lihet pa përmendur edhe një tjetër shifër e rëndë: Vetëm në 6 muajt e parë të vitit qeveria në ikje ka ezauruar plot 90% të deficitit buxhetor vjetor. Në këto kushte, me legjitimitetin dhe autoritetin që buron nga vota e plot 1 milion shqiptarëve që kanë votuar për qeverinë e koalicionit, i kërkojmë Ministrisë së Financave si ministri që ka përgjegjësinë jo thjesht morale, por edhe ligjore, të kujdestarisë mbi financave të shtetit shqiptar deri në betimin e qeverisë së re që: Të bëjë publike sa më parë treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar për 6 muajt e parë të vitit; Të ushtrojë detyrat ligjore në administrimin e mbledhjes së detyrimeve tatimore dhe doganore; Të ndërpresë çdo lloj negociate në vijim për kontrata e projekte me financues të ndryshëm që rrisin borxhin e jashtëm të Shqipërisë. Të garantojë që në periudhën 12 – 30 korrik 2013, gjatë së cilës do të bëhet upgrade i sistemit automatik të thesarit, të garantohen pagesat e ndihmës ekonomike, pagesat e përfitimeve të personave me aftësi të kufizuar, pagesat e pensioneve dhe pagesat e rrogave”, tha Beqja.

“Detyra e qeverise është të tregojnë përgjegjshmëri dhe vetëpërmbajtje” apeloi Beqja. 

(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›