PS: Qeveria nuk mbron jetën e qytetarëve
Partia Socialiste kundër qeverisë për rritjen e kriminalitetit në vend dhe mungesën e zbulimit të autorëve të krimit
TIRANË - Partia Socialiste ka tërhequr vëmendjen për rritjen e kriminalitetin dhe paaftësinë e policisë për të kapur vrasësit dhe njëkohësisht të qeverisë për të parandaluar krimet. "Shprehim shqetësim për mungesën e theksuar të sigurisë së jetës në vend por gjithashtu për mungesën e theksuar të masave parandaluese dhe mbrojtëse që duhet të ndërmarrë qeveria shqiptare", u shpreh dje Sajmir Tahiri.
Kronikat janë të mbushura me vrasje, vetëvrasje, plagosje, aksidente rrugore, aksidente ne punë, pra të gjitha ato ngjarje të përditshme ku humbasin jetën nëna, fëmijë, burra, gra, të moshuar, në gëzimin e një dasme, në plazh, në punë, në rrugë, në shtëpi e kudo.
PS-ja sjell në vëmendje vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, ngjarje ende pa autor e pa përgjegjës. Ngjarjen tragjike të para pak ditëve ku humbën jetën katër efektivë të policisë. Po kështu edhe tragjedi të tjera individuale dhe shoqërore.
Sipas PS-së, shkak nuk është konflikti për tokën, për gardhin, për gjakmarrje apo hakmarrje, por varfëria, mungesa e mundësive për të jetuar, pabarazia sociale, mungesa e perspektivës, mungesa e rregullave si dhe injorimi nga shteti qe është i ngarkuar të garantojnë integritetin e jetës së qytetarëve.
"Këto bëjnë me përgjegjësi të plotë qeverinë e paaftë të Sali Berishës, e cila në vend që të mbrojë me çdo çmim jetën e qytetarëve, ka vendosur një çmim të rëndë në kurrizin e tyre për interesat e saj të ngushta e korruptive, një çmim që e paguajnë me jetën e tyre ata që ikin dhe me sakrifica të përditshme të tjerët që janë ende gjallë", theksoi Tahiri.
Për këtë situatë, Partia Socialiste bën përgjegjës të drejtpërdrejtë Sali Berishën dhe qeverinë e tij, të cilët nga kujdesi për ruajtur kolltukun e pushtetit e për tu pasuruar me çdo kusht, janë verbëruar në paaftësi e korrupsion duke mohuar padrejtësisht përkujdesin dhe përkrahjen që meriton jeta e çdo shqiptari, qoftë ky i varfër apo i pasur.