E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Qeveria po merr në dorë Gjykatën Kushtetuese

Fatmir Xhafaj

Nënkryetari i Ligjeve: Dorëheqja e Plloçit, në mbrojtje të Kushtetutës.

Partia Socialiste e cilësoi dje pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese të cenuar, duke akuzuar maxhorancën dhe kryetaren e Parlamentit se ka dobësuar balancat mes pushteteve.
Nënkryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve, njëkohësisht dhe sekretar për Koordinimin në Partinë Socialiste, Fatmir Xhafaj, nisur nga dorëheqja e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi, tha se maxhoranca ka dobësuar rolin dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese. Deklarata e dorëheqjes e gjyqtarit kushtetues është njëherësh një tjetër dëshmi tronditëse dhe një sirenë e fortë alarmi për gjendjen në të cilën gjendet sot sistemi i drejtësisë në tërësi. Është goditur parimi thelbësor kushtetues i funksionimit të shtetit të së drejtës – ndarja dhe balancimi i pushteteve për shkak të përpjekjeve të qeverisë për të vendosur nën kontroll politik pushtetet e pavarura. Eficienca e Gjyqësorit është cenuar rëndë edhe për shkak të emërimeve politike, klienteliste e joprofesionale, veçanërisht në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe në drejtimin e gjykatave të vendit, u shpreh Xhafaj. Duke iu referuar shkaqeve që çuan në dorëheqjen e gjyqtarit Plloçi, Xhafaj e akuzoi maxhorancën se përmes bllokimit të zëvendësimit të anëtarëve që u ka mbaruar mandati, kërkon të ruajë kontrollin politik mbi këtë gjykatë. Vendimi në fjalë i kësaj gjykate, që në respekt të standardeve të vendosura nga ajo vetë ndër vite, sot mund të konsiderohet pa frikë gjykatë e paligjshme, është pjesë dhe zgjatim i qëndrimeve antikushtetuese të mbajtura nga kryetarja e Kuvendit për mosshqyrtimin e dekreteve presidenciale dhe kthimin e paprecedentë administrativisht të tyre me një synim të vetëm: mbajtjen e tri vendeve bosh për ti dekretuar me Presidentin e ri produkt të maxhorancës, me qëllim ruajtjen e kontrollit politik të qeverisë mbi vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, institucionit që Kushtetuta i ka dhënë rolin e garantit për ruajtjen e Kushtetutës, u shpreh Xhafaj.

Vendimi i Kushtetueses
Për anëtarin e Kryesisë socialiste, vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë dëmtuar dhe të drejtën e opozitës për ankimim. Duke iu referuar dy vendimeve të fundit, si ajo për rrëzimin e kërkesës së deputetëve të PS për anulimin e vendimit për prishjen e Piramidës, Xhafa tha: Në këtë mënyrë po cenohet drejtpërsëdrejti Kushtetuta e vendit, me qëllim zhdukjen e kontrollit kushtetues mbi qeverinë dhe maxhorancën e Sali Berishës.

Dorëheqja e Plloçit
Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Petrit Plloçi, dha dy ditë më parë dorëheqjen. Në kërkesën e tij të dorëheqjes Plloçi kundërshton zgjatjen e gjatë të mandatit të tij, i cili ka përfunduar prej gati dy vjetësh. Sipas tij, një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese mund ta zgjasë mandatin e tij deri në zëvendësimin e tij, por jo të qëndrojë për tre vjet të tjera përmbi përcaktimin kushtetues.

ARISTIR LUMEZI

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›