Sekretari i Kuvendit kundër draftit të PD-PS për financat

Komisioni për Reformën Parlamentare
Letra e Marlind Myftiut, drejtuar grupit të punës për Rregulloren e re.
Sekretariati për Buxhetin po merr më shumë kompetenca
Buxheti i Parlamentit të Shqipërisë, sipas ndryshimeve të reja që pritet të miratohen në Rregulloren e Kuvendit, do të hartohet nga përfaqësuesit e dy forcave politike dhe konkretisht nga Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit, dhe jo më vetëm nga sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni.
Propozimet për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit janë miratuar me konsensusin e PD-PS, në punën e grupit të punës për reformën parlamentare. Por, mësohet se këto ndryshime nuk janë pranuar nga sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu, i cili, me një letër zyrtare, u është drejtuar dy bashkëkryetarëve të grupit të punës, Jemin Gjana dhe Namik Dokle, ku i kërkon që ndryshimet e reja i tejkalojnë kompetencat që i jep Rregullorja e Kuvendit Sekretariatit të Buxhetit. Në argumentimin e tij, sekretari i Kuvendit u referohet kompetencave që ushtron aktualisht, sipas të cilave, ai jep llogari përpara kryetares Jozefina Topalli dhe Byrosë së Kuvendit. Kërkesa e opozitës për ti kaluar kompetencat nga sekretari i Përgjithshëm te një organ kolegjial, siç është Sekretariati i Buxhetit të Kuvendit, duket se është kundërshtuar në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, ku u kurorëzua dhe pakti PD-PS për miratimin e ligjeve me shumicë të cilësuar.
Letra
Gazeta Panorama ka siguruar letrën e sekretarit të Përgjithshëm të Parlamentit, Marlind Myftiu, i cili në argumentet e tij i druhet faktit se me ndryshimet e reja do të fuqizohet më shumë kontrolli i opozitës në procesin e përgatitjes dhe mbikëqyrjes së financave të institucionit të Legjislativit. Në këtë kuadër, ashtu siç e kam sugjeruar edhe gjatë mbledhjeve që kemi zhvilluar së bashku, do të doja të sillja edhe njëherë në vëmendjen Tuaj sa më poshtë lidhur me propozimet e bëra për Sekretariatin e Buxhetit të Kuvendit: Duke qenë se në nenin 121 të Rregullores së Kuvendit Drejtimi i Shërbimeve të Kuvendit, thuhet shprehimisht: Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit përgjigjet para kryetarit të Kuvendit dhe Byrosë së Kuvendit. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit përgjigjet për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të Kuvendit, me propozimet e reja, Sekretariatit për Buxhetin i jepet një rol më i madh nga çfarë i ka dhënë Rregullorja, thuhet në letrën e sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit. Sipas Myftiut, edhe në Rregulloren e Parlamentit Europian, Sekretariati për Buxhetin ka një rol konsultativ, dhe jo vendimmarrës. E njëjta gjë mund të thuhet edhe po ta krahasojmë me Rregulloren e Parlamentit Europian, e cila duhet marrë si model bazuar në Vendimin e Konferencës së Kryetarëve, datë 14.11.2011, i ndryshuar. Konkretisht, neni 22, pika 2 e Rregullores së Parlamentit Europian, thotë që sekretariatet (sekretarët) janë në cilësi këshillimore për Byronë. Gjithashtu, edhe neni 26 i Rregullores së Parlamentit Europian thotë që sekretariatet (sekretarët) janë përgjegjës për çështje financiare dhe administrative që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me deputetët, thuhet në letrën e Marlind Myftiut.
Sekretariati
Sekretariati i Buxhetit të Kuvendit përbëhet nga pesë deputetë, dy prej të cilëve kanë rolin e sekretarëve që drejtojnë këtë strukturë në varësi të Kuvendit. Përkatësisht, nga Partia Demokratike sekretar për buxhetin është ish-zëvendësministri i Financave Florion Mima dhe nga PS-ja, deputeti Erjon Braçe. Në listën e Sekretariatit të Buxhetit janë si anëtarë deputetët, ish-zëvendësministri i Financave Sherefedin Shehu, kryetari i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese Jemin Gjana dhe nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli. Me ndryshimet e reja që kanë marrë bekimin e PD-së dhe PS-së në grupin e punës dhe që pritet të kalojnë në seancën plenare, përgatitja e gjithë procesit të hartimit dhe mbikëqyrjes së financave të Parlamentit të Shqipërisë do të kryhet nga Sekretariati i Buxhetit në bashkëpunim me sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit.
Afati
Grupi i punës për ndryshimin e Rregullores së Parlamentit e ka përfunduar afatin e caktuar nga Kuvendi që në datën 14 prill. Në mbledhjen e fundit, bashkëkryetari i grupit të punës, demokrati Jemin Gjana, deklaroi se nuk do të kërkohet shtyrje e mandatit të këtij komisioni për shkak se dy çështjet e mbetura pa miratuar kërkojnë ndryshime të Kushtetutës dhe janë jashtë tagrit ligjor të këtij grupi pune.
Ska konsensus midis PD-së dhe PS-së
Reforma Parlamentare ngec te dekretet e Topit
Grupi bipartizan i punës për reformën parlamentare nuk arriti konsensus për dy çështjet më të debatueshme për jetën e këtij institucioni. Në mbledhjen e fundit, ajo e datës 14 prill, grupi me katër anëtarë, dy nga PS dhe dy nga PD, nuk arriti të gjejë dakordësinë sa i takon përcaktimit të votimit të fshehtë dhe me shumicë të cilësuar të dekreteve të Presidentit të Republikës për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, si dhe për mundësinë e replikës nga ana e kryetarit të Grupit Parlamentar të opozitës sa herë e merr fjalën Kryeministri në Kuvend.
Si eshte
Neni 121
Drejtimi i shërbimeve të Kuvendit
1. Shërbimet e Kuvendit drejtohen dhe përgjigjen para sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, i cili është nëpunësi më i lartë civil në Kuvend që emërohet nga Byroja e Kuvendit, sipas nenit 11, pika 6, të kësaj Rregulloreje.
2. Sekretari i Përgjithshëm siguron dhe kujdeset për mbarëvajtjen e punëve në Kuvend dhe përgjigjet para kryetarit të Kuvendit dhe Byrosë së Kuvendit. Sekretari i Përgjithshëm përgjigjet për hartimin dhe zbatimin e buxhetit të Kuvendit.
3. Sekretariatet e Kuvendit mbikëqyrin punën e shërbimeve për përmbushjen e detyrave të tyre në funksion të veprimtarisë së Kuvendit dhe të organeve të tij.
4. Struktura e detajuar dhe kufiri organik i punonjësve të Kuvendit vendoset nga Byroja e Kuvendit, me propozim të sekretarit të Përgjithshëm.Si kërkohet
Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit
1. Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit drejtohet nga dy sekretarët për buxhetin, të cilët përfaqësojnë grupet politike të shumicës dhe të opozitës parlamentare. Ata drejtojnë kolegjialisht Sekretariatin për Buxhetin e Kuvendit.
2. Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit mblidhet të paktën njëherë në tre muaj.
3. Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit mblidhet me kërkesë të njërit prej sekretarëve të tij, Byrosë së Kuvendit ose të sekretarit të Përgjithshëm për të shqyrtuar një çështje të caktuar që ka lidhje me mënyrën e administrimit të buxhetit.
4. Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit, në bashkëpunim me sekretarin e Përgjithshëm, ndjek dhe mbikëqyr të gjitha procedurat e hartimit të projektbuxhetit vjetor dhe afatmesëm të Kuvendit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
5. Pas miratimit nga Byroja e Kuvendit, Sekretariati për Buxhetin, gjatë shqyrtimit të projektligjit për buxhetin e shtetit, paraqet në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave raportin e vlerësimit të projektbuxhetit vjetor të Kuvendit.
6. Sekretariati për Buxhetin, në bashkëpunim me sekretarin e Përgjithshëm, kujdesen edhe për administrimin e veprimtarisë së Kuvendit, në përputhje me buxhetin e Kuvendit.
7. Sekretariati për Buxhetin e Kuvendit raporton çdo gjashtë muaj në Byronë e Kuvendit për zbatimin e Buxhetit të Kuvendit.
FATION BINJAKU