PS: Qeveria politike skuthe me drejtësinë
Rama vlerëson miratimin e protokollit nga SHBA dhe e konsideron atë si një detyrim më shumë për politikën shqiptare
Një përgjegjësi më shumë për politikën shqiptare. Kështu e ka cilësuar kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, votimin nga ana e Senatit Amerikan të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke evidentuar qartë se ky veprim, përveçse rikonfirmon edhe një herë mbështetjen e SHBA-ve për aspiratat e popullit shqiptar, është edhe një detyrim për klasën politike shqiptare për të qenë në lartësinë e duhur për të përmbushur të gjitha detyrimet që lindin nga të qënit anëtar i kësaj organizate. “Që të gjithë janë të vetëdijshëm se çdo hap në drejtim të integrimit të plotë në Aleancën e madhe të Atlantikut të Veriut, apo drejt BE, sjell përgjegjësi më të mëdha për politikën shqiptare. Kërkon maturi e urtësi më të madhe, nga forcat politike në një proces politik që nuk është i politikanëve dhe për politikanët, por është i Shqipërisë dhe për shqiptarët”, - tha Rama në një dalje të posaçme për mediat. Ky moment sipas tij do të ishte realizuar shumë kohë më përpara në rast se ajo që ai e ka konsideruar në vazhdimësi si “politika e vjetër”, nuk do të kishte penguar zhvillimin dhe realizimin e atyre reformave të mëdha, që falë iniciativës së socialistëve gjatë këtyre viteve të fundit mundën të kthehen në realitet. “Nëse kjo ndodhi me vonesë, është përgjegjësia e politikës, partive politike, ashtu si kundër është nga ana tjetër edhe një arsye për të qenë krenar, që si një lokomotivë në jetën politike shqiptare, Partia Socialiste në opozitë, luajti një rol historik, për ta garantuar 100 % këtë proces”, - vazhdoi më tej kryesocialisti Edi Rama, duke shprehur në të njëjtën kohë vullnetin e plotë të forcës që ai drejton për të vazhduar punën për realizimin e të gjitha reformave me interes madhor. Por ky moment sipas tij përbën dhe një detyrim më shumë për qeverinë dhe mazhorancën e djathtë për të marrë përgjegjësitë që i takojnë për të përmbushur të gjitha ato detyra që i dalin në rrugën e saj për anëtarësimin e plotë jo vetëm në NATO, por edhe në familjen e madhe evropiane. Një nga këto detyra ka theksuar kryesocialisti është edhe heqja dorë nga ekzekutivi për të vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë. “Ky proces reformash kërkon, jo vetëm largpamësinë dhe vullnetin e Partisë Socialiste, që është e qartë në rrugën e saj, por kërkon edhe largpamësinë dhe vullnetin e palës tjetër, që vazhdon të hyjë në borxh me Shqipërinë dhe shqiptarët, duke mos dhënë kontributin që u detyrohet vendit dhe njerëzve, për reformën në drejtësi. Jo vetëm kaq, por duke bërë një politikë skuthe, në raport me sistemin e drejtësisë, përmes të gjitha atyre episodeve të papëlqyeshme që tregojnë një vullnet të mbrapshtë për të vënë nën kontroll posaçërisht prokurorinë, për të trysnuar dhe manipuluar KLD, për të mos lejuar që sistemi i drejtësisë të dalë nga kontrolli tradicional dhe i mbrapshtë i forcave qeveritare në këtë vend”, - u shpreh Rama. Ai është ndalur edhe në një sërë çështjesh të tjera të rëndësishme për ecurinë e mëtejshme të procesit integrues të vendit tonë që kanë të bëjnë kryesisht me reformën zgjedhore, hapjen e dosjeve dhe kufizimin e imunitetit të deputetëve. Duke u ndalur tek ndryshimet në Kodin Zgjedhor, kreu i selisë rozë ka evidentuar shqetësimin që kanë socialistët për mungesën e seriozitetit të mazhorancës për të realizuar një produkt që do t’i jepte zgjidhje të gjitha problemeve që janë hasur gjatë zgjedhjeve të shkuara. “Do të kemi Kodin Zgjedhor, kur forcat qeveritare do të kenë vullnetin për t’i dhënë jetë këtij Kodi Zgjedhor, bazuar në nevojën që kodi i ri të jetë shprehje e konsensusit me opozitën. Unë jam i shqetësuar për rezultatin dhe cilësinë e produktit që do t’i jepet për miratim Kuvendit”, theksoi Rama. Ndërkohë përsa i përket çështjes së hapjes së dosjeve, Rama ka rikonfirmuar edhe një herë vullnetin e socialistëve për t’u ndarë një herë e përgjithmonë nga e shkuara, duke i krijuar kushtet e duhura publikut për t’u njohur me dosjet e gjithkujt nëpërmjet publikimit të tyre në një faqe interneti.