E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Qeveria të deklarojë shtyrjen e zgjedhjeve

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste mbështet idenë për shtyrjen e zgjedhjeve të 28 qershorit. I pyetur për këtë çështje sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, njëkohësisht nënkryetar i Komisionit Ad Hoc”, Kastriot Islami pohoi dje se Qeveria duhet të pranojë dështimin e shpërndarjes së kartave nëse nuk e bën dot këtë gjë dhe të japë alternativën tjetër. Islami, tha se brenda javës tjetër procesi shkon në pikë kritike. Sipas tij, PS-ja ka propozimet e veta dhe në momentin e duhur do ti paraqesë ato publikisht. Menjëherë pas deklaratës së socialistëve, mazhoranca nëpërmjet deputetit Fatos Hoxha përjashtoi çdo mundësi për shtyrjen e zgjedhjeve. “Nuk shohim asnjë arsye për shtyrje”, - tha ai. Ndërkohë që zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni i konsideroi deklaratat e Islamit si absurditete. Ai siguroi se procesi po ecën normalisht. Poni u bëri përsëri thirrje shqiptarëve që të aplikojnë për karta.
Deklarata
Të majtët nuk e përjashtojnë mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve. I pyetur nëse zgjedhjet duhet të shtyhen dhe se kur mund të zhvillohen ato, Islami tha se nuk mund të bënte diskutime hipotetike por nëse Berisha dështon me procesin është ai që duhet të deklarojë alternativën tjetër. “Nuk mund të futem në mendime hipotetike. Ne jemi të angazhuar për datën 28 qershor dhe për kë të vlerësim nëse do ndodhte, duhet të pyetet kryetari i PD-së dhe kryeministri. Nëse pranon dështimin që si bën dot kartat, Berisha të thotë kush është zgjidhja tjetër”, - tha ai. Islami ka theksuar më tej situatën tepër kritike të pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti. Pas mbledhjes së komisionit “Ad Hoc” ai deklaroi se ky proces rezulton më shqetësues se një javë më parë. Duke bërë një analizë në shkallë vendi, sipas deputetit socialist, koha është elementi i parë, që po bëhet e pamjaftueshme, edhe për vetëm pak ditë ndoshta 4-5 ditë dhe mund të flitet për pamundësi të realizimit të kësaj detyre. Islami, bëri me dije se, deri në datën 6 prill janë kryer 159 000 aplikime nga votuesit pa pasaportë ose vetëm rreth 22 për qind e numrit prej 730 mijë të votuesve pa pasaportë, ndërkohë që nga të dhënat e PS-së ky numër është më i lartë dhe mbetet për t u saktësuar. “Mbeten nga shifra 730 mijë për të aplikuar edhe 570 mijë votues pa pasaportë ose rreth 80 për qind e tyre ose më shumë sepse kjo shifër e dhënë nga ministria sipas nesh është edhe më e madhe. Numri total i kartave të tërhequra nga votuesit pa pasaportë dhe me pasaportë është vetëm 95 mijë, ndërkohë që i atyre pa pasaportë nuk jepet ende nga Ministria e Brendshme, por me siguri nuk do ta kalonte shifrën 35 mijë ose rreth 4.7 për qind e votuesve pa pasaportë.”- tha Islami. Ai shtoi se kjo gjendje është edhe më e rënduar nëse analiza bëhet për çdo njësi. “Nga informacioni rezulton se janë vënë në punë 410 poste aplikimi, por në realitet në 62 prej tyre kanë aplikuar zero votues. Në 40 prej tyre ka aplikuar vetëm një votues dhe në 152 prej tyre kanë aplikuar nga 2-15 votues. Pra në 252, prej 410 posteve të aplikimit, ose në 62 për qind të rasteve aplikimi mund të thuhet se nuk ka filluar ende”, - tha ai. Islami shtoi se në 50 njësi të gjendjes civile është e pamundur që kjo detyrë të kryhet deri në 12 qershor 2009 dhe deri tani nuk ka asnjë masa shtesë nga Ministria e Brendshme. Ai parashtroi heqjen e taksës për kartat e identitetit për kategoritë e komunitetit të egjiptianëve, invalidëve, familjet në asistencë, pensionistëve të fshatit dhe personave me aftësi të kufizuar. Por Poni i pranishëm dje në mbledhjen e komisionit “Ad Hoc” ka hedhur poshtë këto shifra duke pohuar se procesi po ecën normalisht. “Lidershipi i partive politike, sidomos atyre opozitare, t iu bëjnë thirrje simpatizantëve të tyre që të shkojnë e të aplikojnë për karta dhe më pas t i tërheqin ato nga zyrat e shpërndarjes së njësive vendore. Ne kemi në zyrat tona të shpërndarjes gati 248 mijë letërnjoftime, nga të cilat janë tërhequr vetëm 110 mijë”, tha zëvendësministri. Në informacionin e tij për komisionin parlamentar zyrtari i lartë i Ministrisë së Brendshme, tha se sistemi i kartave të identitetit është i shtrirë në të gjithë vendin dhe punon me kapacitet të plotë. “Sot kemi në punë mbi 410 stacione aplikimi në të gjithë vendin, në gati 300 njësi vendore, që mundëson realizimin e një numri më të lartë aplikimesh. Në Tiranë, nga 80 mijë shtetas të evidentuar pa pasaportë, më shumë se 60 mijë prej tyre tashmë kanë aplikuar. Po ashtu, sistemi i shpërndarjes funksionon kënaqshëm. Afati mes momentit të aplikimit për kartë dhe shpërndarjes së saj llogaritet në rreth dhjetë ditë”, - përfundoi ai.

Të dhënat e PS
62 Komuna ku ka 0 aplikime të shtetasve pa pasaportë.
Berat(3)-Cukalat, Cepan, Potom
Dibër(11)- Fushë Cidhen, Kastriot, Melan, Tomin, Selishtë, Komsi, Rukaj, Suc, Ulëz, Gjoricë, Fushë Bulqizë
Durrës(2)- Bubq, Cudhi
Elbasan(9)- Klos, Shirgjan, Tregan, Kodovjat, Kukur, Tunjë, Gjocaj, Pajovë, Shezë
Fier(11)- Bashkia Roskovec, Topojë, Zharrëz, Allkaj, Ballagat, Bubullimë, Karbunarë, Kolonjë, Remas, Greshicë, Hekal
Gjirokastër(4)- Dropull i Sipërm, Lunxhëri, Çarçovë, Petran
Korcë(4)- Pirg, Udenisht, Proptisht, Progër;
Kukës(4)- Tërthorë, Golaj, Fajzë, Margegaj;
Lezhë(1)- Orosh
Shkodër(5)- Dajç, Pult, Gjegjan, Qendër Malësi e Madhe, Shkrel
Tiranë(2)- Zal Herr, Luz i Vogël
Vlorë(6)- Selenicë, Sevaster, Konispol, Aliko, Dhivër, Xarrë
Në 192 njësi vendore, që prej fillimit të procesit e deri më datë 06 prill nuk kanë aplikuar më shumë se 15 shtetas (me ose pa pasaportë).
Pra në 254 njësi të gjendjes civile realisht nuk ka filluar aplikimi.
Ky lajm është publikuar: 11/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›