E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zonja Antoneta “Dashuria do të triumfojë”

Autori i Lajmit: red.
Nuk është banore e shtëpisë më të famshme në vend, asaj të “Big Brother”, por është e famshme po aq sa banorët në këtë shtëpi. Zonja Antoneta, mamaja e Bjordit, tregon impresionet për Adelajdën, për miqtë edhe armiqtë e Bjordit në shtëpi dhe dëshirën e babait të Bjordit për ta takuar atë. “Jo, bashkëshorte të ardhshme nuk më ka shkuar ende nëpër mend, unë e kam parë Adelajdën si një vajzë që do të jetë shumë e denjë në krah të Bjordit. Adelajda është një vajzë e kompletuar, është inteligjente, kur ka arritur deri këtu di të arrijë edhe më përpara”, - i përgjigjet zonja Antoneta pyetjes nëse e sheh Adelajdën si nuse.
Zonja Antoneta, jeni personi që Bjordi e adhuron. Si e keni krijuar marrëdhënien me të?
Them se Bjordi është një djalë normal si gjithë të tjerët, me cilësi ose me virtyte të jashtëzakonshme. Them se çdo ditë Bjordi e vërtetën këtë. Është një djalë i zgjuar, shumë i dashur. Natyrisht që me Bjordin kam një lidhje shumë speciale, jo vetëm si nënë, por edhe për detyrën e rëndë që kam pasur, gjëra që unë i kam thënë gjithmonë, kam mbuluar rolin e babait dhe të nënës. Në rolin tim unë i kam dhënë jashtë mase shumë dashuri dhe shumë përkëdhelje. Ai ka mbetur akoma ai djali që kërkon puthje në çdo moment, kërkon përkëdhelje dhe nga ana tjetër në rolin e babait, më vjen keq, por kam qenë shumë e keqe. Kam qenë shumë e egër, shumë kërkuese dhe them që Bjordi nuk e ka pasur të lehtë, me një nënë si unë, por fatmirësisht, ma ka shpërblyer me sjelljen e tij të mrekullueshme. Jemi shumë të lidhur me njëri-tjetrin, por Bjordi ka një shpirt indipendent. Është sa i lidhur dhe aq i pavarur. Që i vogël ka kërkuar të vendosë vetë, të bëjë gjërat që i pëlqejnë mbi të gjitha. Unë përpara vendimeve të Bjordit gjithmonë e kam quajtur veten shumë të dobët. Në vendimet e Bjordit unë gjithmonë e kam pasur shumë të vështirë, sepse ai që i vogël i ka marrë vendimet vetë, në zgjedhjen e sportit, të muzikës, në veshje, në çdo gjë.
Thoni se Bjordi është i pavarur dhe i vendosur, ndërkohë që brenda shtëpisë nuk e ka treguar këtë. Pse?
Unë them se Bjordi, që ditën e parë që ka hyrë, ka demonstruar pjekuri edhe mençuri. Them se nuk ka lëkundje, ai në çdo ditë dhe në çdo moment lufton për të arritur dëshirat dhe synimet që i ka vënë vetes, nga zgjedhja e shokëve, nga mendimet e temave që jep. Ai ngul këmbë tek idetë e tij që ka edhe aq më tepër për marrëdhëniet që ka me Adelajdën, ai ka guxim dhe insiston.
Si e shikoni Bjordin brenda shtëpisë? Sa i vërtetë është ai aty?
Unë them se Bjordi është gjithmonë i kujdesshëm. Është një djalë që nuk ka pasur vese, nuk ka. Është i kujdesshëm në çdo moment, është i qetë, kur flet mendohet shumë përpara, nuk flet për gjërat që nuk është kompetent dhe më tepër është real. Është Bjordi që njoh unë.
Mendoni që sjellja e Bjordit ndikohet gjithsesi nga presioni që është brenda shtëpisë, nga kamerat dhe vëzhgimi i vazhdueshëm?
Natyrisht, kjo u ndodh të gjithëve. Telekamerat kanë ndikimin e tyre, stresi, pasi ai nuk është mësuar që të jetojë pa pasur kontakt me jetën jashtë, me natyrën, pa pasur asnjë lloj komunikimi. Them që për Bjordin kjo është një vuajtje e madhe, sepse është një djalë që është aktiv nga mëngjesi deri në darkë, është mësuar që të rrijë mes njerëzve, mes shokëve. Atij i pëlqen jashtë mase natyra, gjë që e them me siguri se i mungon. Këto të gjitha besoj se ndikojnë tek Bjordi, duket që ka një farë stresi.
Javën që kaloi e pamë Bjordin që të ishte disi i tensionuar apo i mërzitur. Kjo gjë është vënë re edhe tek banorët e tjerë. Ai i ka thënë Adelës se e vetmja gjë që e qetëson ishte dera ku del nga ajo shtëpi....
Unë mendoj se tensioni i parë që i është krijuar Bjordit është kur ai pati një lëkundje të vogël, kur mori vesh motivin që Adelajda e nominoi. E zhgënjeu ai motiv dhe kjo i krijoi një tundim Bjordit. Ai është gjithmonë i bindur në gjërat që bën dhe besoj se për një moment ai ka menduar se nuk e ka njohur mjaftueshëm Adelajdën. Natyrisht, kur krijohen këto zhgënjime, duhet disa kohë që ai ta fillojë nga e para.
Kur luan Bjordi në shtëpi?
Unë them se Bjordi është vetvetja aty brenda, ai luan kur bën spektakël, Bjordi luan kur kërcen, kur imiton Majkëllin, e shikoj që luan vetëm kur hyn në rolin e aktorit, ndërsa në gjithë të tjerat është real.
Fakti që Bjordi është vetvetja duket tek lirshmëria e tij në shtëpi, por cili është momenti që ai nuk bën lojë të pastër apo bën lojë të dyfishtë?
Në një lojë të tillë unë nuk e shikoj Bjordin, sepse unë atë nuk e kam parë aty një herë të bëjë një komplot, një herë të tradhtojë shokët, një herë të merret me thashetheme apo të krijojë grupe përveç se simpative dhe personave që ai ka krijuar afeksion.
Çfarë nuk duron dot Bjordi tek një njeri?
Idiotizmi dhe injoranca.
Më ka bërë përshtypje që Bjordi në një moshë aq të vogël, vetëm 21 vjeç kur përballet me persona më të rritur arrin t i “mposhtë”. Ju si e komentoni këtë?
Në këtë pikë më vjen keq me veten time që unë këtë pjesë të guximit të Bjordit nuk e kam njohur, sepse deri dje kam qenë unë mbrojtësja e Bjordit dhe nuk e kam parë në një moment që ai mund të luftojë apo të përballet me një sfidë reale siç e kam parë me banorët. Mendoj se faktor kryesor në këtë aftësi është inteligjenca e Bjordit. Inteligjenca e tij është e mahnitshme, ka demonstruar në çdo moment që është i përgatitur përballë çdo situate dhe kjo edhe mua si nënë më ka mahnitur.
Inteligjencën mund ta konsiderojmë si pikën më të fortë të Bjordit. Po pika e dobët e tij cila është?
Zhgënjimi që do të pësonte nga personat që ai beson shumë. Kjo e prek Bjordin.
Lidhja e Bjordit dhe Adelajdës. Si e shikoni ju?
Të gjitha vajzat që janë brenda shtëpisë Bjordit i janë afruar, në një mënyrë apo në një tjetër edhe ai me çdo vajzë aty që në momentet e para ka krijuar një raport duke nisur nga Aida, një raport natyrisht miqësor, të afërt, me Liritën, me Mozën u afrua se i pëlqente dhe i pëlqen akoma si vajzë, me Bikën ishte afruar se i pëlqente karakteri i fortë që kishte Bika, me Mesidën sepse ishte një vajzë e hapur dhe kishin shumë gjëra të përbashkëta, pavarësisht se Mesida ka deklaruar se i pëlqente si djalë, tek Juna që ka ardhur tani i pëlqen inteligjenca dhe mënyra e të komunikuarit, duket që janë afruar jashtë mase bashkë edhe Adelajda, natyrisht i ka pëlqyer inteligjenca e saj dhe bukuria.
Mendoni vërtet se është një dashuri lidhja me Adelajdën apo thjesht një atraksion i krijuar nga rrethanat apo i momentit?
Unë them se Bjordi e di se çfarë bën. Tek Adelajda ka zgjedhur diçka më shumë. Unë mendoj se Bjordi ka një ndjenjë të pastër për Adelën dhe më bëhet shumë qejfi që Bjordi po lufton që ta ketë jo vetëm në krahët e tij, por edhe ta ndihmojë Adelajdën që të dalë nga ajo tabu që ka Adelajda. Më bëhet qejfi për këtë, sepse shikoj që Adelajda ka ndryshuar jo vetëm me Bjordin, por edhe në jetën që po bën dhe atë që ajo po demonstron përpara publikut.
Adelajdës i pëlqen vërtet Bjordi apo e bën për lojë?
Unë nuk e quaj Adelajdën një vajzë sipërfaqësore, Ajo, pavarësisht nga rrethanat në të cilat ndodhet, nuk është sipërfaqësore. Edhe pse fshihet, shikoj se Adelajda është pak a shumë e dashuruar me Bjordin.
A jeni xhelozë për këtë lidhje të re të Bjordit apo që dashurinë e ndan me një tjetër person?
Unë e kam ditur veten shumë xheloze tek Bjordi, e kam konsideruar veten shumë xheloze dhe në bisedat e shumta që bënim bashkë unë i thoja, nuk e di si do ta suportoj kur të shikoj në krahët e nuses apo të së fejuarës. Por, të them të drejtën, janë momentet e mia më të bukura kur shikoj Bjordin që përkëdhelet me Adelajdën në mënyrë aq të pastër. Bjordi vuan kur Adelajda nuk e afron, kur ajo e afron dhe raporti i tyre shkon mirë edhe Bjordi ndihet mirë. Këto momente më japin shumë lumturi.
Ju e shikoni Adelajdën si vajzën e duhur për Bjordin apo si bashkëshorten e tij të ardhshme?
Jo, bashkëshorte të ardhshme nuk më ka shkuar ende nëpër mend, unë e kam parë Adelajdën si një vajzë që do të jetë shumë e denjë në krah të Bjordit. Adelajda është një vajzë e kompletuar, është inteligjente, kur ka arritur deri këtu, di të arrijë edhe më përpara.
A është e duhura ajo për Bjordin?
Nëse do ta kisha unë në dorë, apo do të më kërkohej mua nuse për djalin, nuk do të shkoja ta kërkoja natyrisht në Kavajë. Përderisa Bjordi po lufton aq shumë për ta pasur, pse jo.
Adelajda ka deklaruar se është një besimtare myslimane dhe nuk i lejohej të zhvishej me rroba banje, ndërkohë që dje ajo e ka bërë këtë. Si e komentoni ju?
Adela që në momentin që ka hyrë, ka dashur të thyejë një koncept, ka luftuar. Që nga momenti që ajo ka vendosur të vijë në “Big Brother” them se ajo e ka nisur luftën e saj, demonstron se çdo ditë dhe çdo orë po bën një revolucion duke nisur që nga vetja e saj. Unë e prisja që Adelajda të dilte me rroba banje, pavarësisht se ajo brenda vetes beson dhe kjo më kënaq shumë, pavarësisht se Bjordi është katolik dhe ajo myslimane kjo më pëlqen që ajo i ka rrënjët e thella. Unë e prisja.
Luftën për të thyer këto koncepte, tabu dhe mentalitetin, po e bën me veten Adelajda apo me publikun?
Adelajda, kur është futur brenda është futur me veten, siç e ka deklaruar edhe ajo. Është futur se ka pasur dëshirë dhe për të ndryshuar jetën. Po tregon në çdo moment se po lufton kundër mentalitetit me të cilin ajo është rritur.
Adelajda kohët e fundit është afruar shumë më djemtë e tjerë të shtëpisë. Ju si e shikoni këtë reagim të saj?
Ky është momenti që unë e shoh Adelajdën më shumë të çliruar nga emocionet që ka pasur deri dje. E bën thjesht për shoqëri.
Bjordi ka një zarf, të cilin ende nuk e ka hapur. Është një surprizë e madhe për të. Si mendoni se do ta presë Bjordi kur ta marrë vesh të vërtetën?
Kjo është ëndrra e vetme që ka pasur Bjordi. Kjo është realizimi i të gjitha dëshirave të Bjordit dhe natyrisht them se edhe Bjordi do ta presë jo vetëm me entuziazëm, por i ngashëryer me lot.
Cili nga banorët është më i afërt me Bjordin?
Përveç Adelajdës, them Adi. Bjordi e shikon Adin si vëllanë e madh dhe si baba, të cilët i kanë munguar në jetë. Them se Adi ka qenë pak a shumë një forcë për Bjordin aty brenda, ka qenë një mbështetje e mirë.
Adi po përpiqet ta ndihmojë Bjordin në lidhje me Adelajdën...
Sepse Adi e do Bjordin, e do me pastërti dhe e shikon që në momentin që Adelajda i rri larg apo i bën ato nazet e veta, Bjordi ndihet keq. Kjo e mundon Adin si një shok i mirë që është.
Armiqësia me Aidën mendoni se është shkaktuar vetëm nga reagimi i saj me Adelën?
Unë them që Adela është në mbrojtje Aida në sulm. Ato janë parë keq që në momentet e para, derisa të mbarojë loja nuk i shikoj as jashtë mike, janë krejt dy tipa të kundërt. Bjordi ka deklaruar se e nxjerr në nominim se ka vepruar keq me Adelën. Mendoj se Bjordi diku është zhgënjyer me Aidën dhe e quan padrejtësi atë që bën Aida. Ai nuk shikon atë Aidën që kishte parë në ditët e para.
Ç mendoni për banorët e tjerë?
I vetmi personazh, me të cilin unë qesh është Qetsori. Ai më pëlqen, për kurajon që ka, për lojën e hapur që bën, pavarësisht që krijon komplote, është intrigant, gjëra që nuk janë vlera që unë do t ia kisha edukuar djalit tim, por më pëlqen për të vetmen rrugë që ai ka ndjekur dhe ndjek deri në fund. Është i vetmi që më bën për të qeshur.
Po marrëdhënien e Qetsorit me Bjordin si e shikoni?
Debatimin e parë që pati Bjordi me Qetsorin, të cilin e kemi parë të gjithë, më pas Qetsori e pranoi sfidën e Bjordit dhe tha: “Unë me ty Bjord nuk merrem më”. Ditën e ditëlindjes së Bjordit, Qetsori e pranoi përsëri dhe i ka thënë “Bjordi gëzuar ditëlindjen dhe të më falësh se të kam rënë më qafë”. Pakti që ai e mban edhe sot, që nuk merret më me Bjordin, ky është një vlerësim nga ana e Qetsorit. Ai di kë të bëjë kundërshtar. Nëse Qetsori do të hapë përsëri luftë me Bjordin, unë ju garantoj se ai do të humbasë edhe ato pak pikë që i kanë mbetur.
Arjoni-Bjordi, janë rivalë në lojë këtë e kanë shprehur disa herë. Pse mendoni se kanë zgjedhur rivalitetin mes njëri-tjetrit?
Nga një anë unë kam simpati për Arjonin, është një djalë i bukur, i rritur edhe ai është rritur jashtë. Është djalë i edukuar, është shumë i kujdesshëm. Nuk e kam parë kurrë edhe atë të flasë një fjalë vulgare. Vetëm një gjë, Bjordi në çdo moment edhe kur Arjoni ka qenë i pari që e ka nominuar Bjordin me pa të drejtë dhe me justifikime nga më boshet, Bjordi është munduar që ta afrojë, por një gjë nuk më pëlqen tek Arjoni, pasi ai është djalë i mrekullueshëm vetëm dhe kur influencohet nga të tjerët bëhet pothuajse si ata. Arjoni e lë veten të influencohet, kur është me Qetsorin, kur është me Aidën, bëhet si Aida, ndërsa Bjordi nuk e ka këtë. Bjordi nuk flet kurrë pas krahëve e nuk bën thashetheme për të tjerët.
Letra e babait e ka trazuar shumë Bjordin, ka trazuar edhe publikun. Pse vendosët që të lejonit që ai ta lexonte këtë letër?
Unë e kam parasysh që një letër e shkruar nga babai i tij nuk mund të rregullojë të gjithë boshllëkun që është krijuar nga mungesa 20-vjeçare e të atit me Bjordin, por them se deri dje unë, ndoshta, mund të kem vepruar edhe gabim, sepse Bjordi nuk ka qenë i aftë, nuk ka qenë i zoti ta kërkojë të atin. Ka qenë i vogël të vendosë për këtë raport. Sot që ai është 21 vjeç, le ta gjykojë vetë afrimin e të atit me të. Deri dje kam vendosur unë, ndërsa sot është momenti që Bjordi mund të vendosë.
Ishte e drejtë që përveç presionit që ka shtëpia e “Big Brother”, presionit që shkakton konkurrenca dhe izolimi, Bjordit t i shtohej edhe ky presion?
Në momentin e parë që më është thënë që babai i Bjordit të vinte në “Big Brother”, unë nuk kam dashur që në atë mënyrë, i ati i Bjordit të vijë dhe ta takojë atë dhe t i shkruajë letra, pikërisht në këtë kohë që Bjordi është aty brenda. E kam thënë disa herë, e kam thënë edhe në spektakël që Bjordi është shumë i ngarkuar me emocione, sepse vinte pothuajse për herë të parë në Shqipëri, në një vend që ai nuk e njihte, me një gjuhë të pamësuar mirë, në një ambient të mbyllur, në një “reality shoë” siç është “Big Brother” dhe nuk doja që emocionet t i shtoheshin me ardhjen ose me takimin e të atit, por i ati kur e pa në “Big Brother” u emocionua dhe kishte dëshirë të madhe që mori këtë iniciativë.
Nëse babai i Bjordit do të vijë në “Big Brother” që ta takojë, mendoni se Bjordi do të ishte i aftë të vendoste?
Bjordi e ka shprehur që nuk do që i ati i tij të vijë në momentin që ai ndodhet brenda. Unë jam e bindur dhe nuk e quaj pozitive ardhjen e tij tani. Nuk është dashuri ajo që do të shprehte ai, më tepër është kureshtje, sepse ai kur ka pritur 20 vjet për ta takuar atë, mund të presë edhe tani. Nuk e ndihmon Bjordin ardhja e të atit, përkundrazi. Por jam e bindur se Bjordi kur të dalë nga shtëpia do ta takojë të atin.
Bjordin e kanë këshilluar banorët e tjerë për marrëdhënien e tij me të atin. Mendoni se e bëjnë për dashamirësi apo që të duken të mirë përpara tij?
Unë mendoj se ata e ndiejnë që takimi i Bjordit me të atin nuk ka asgjë të keqe, por nuk mund ta imagjinojmë se çfarë do të ndodhë mes Bjordit dhe të atit.
Sipas mendimit tuaj, do të krijojnë ata një marrëdhënie atë edhe bir, pasi të takohen?
Unë them që po, pse jo? Bjordi di t i ndajë gjërat. Unë them se nga ana intelektuale po. Bjordit do t i pëlqejë shumë të rrijë me të atin. Ndërsa për sa i përket jetës aktuale them se jo. Janë 20 vjet largesë. Unë them se Bjordi e ndjen për detyrë të njohë të atin, por që të krijojë një dashuri siç e ka një fëmijë që është rritur me babanë nuk besoj. Por një raport njerëzor besoj se po.
Motra e Bjordit, Skerda, ka mbërritur në Tiranë. A do të jetë ajo në spektakël sot?
Bjordi dhe motra e tij kanë gati 15 vjet diferencë. Në tërë mungesat e mia, që kam pasur unë, Skerda ka qenë si një nënë e dytë për të. Ajo është e vetmja në botë që ia njeh në mënyrë perfekte shijet Bjordit, gustot dhe të gjitha sekretet. Nuk garantoj dot nëse do të jetë, pasi ajo u ruhet emocioneve që do t i krijojë Bjordi.
Po Bjordi si dajë? Si është marrëdhënia e tij me nipin?
Nipi e adhuron Bjordin. Që i vogël Stiven ka dashur ta imitojë Bjordin, nga flokët, nga veshja nga të gjitha. Bjordi e adhuron natyrisht nipin e tij, por gjatë gjithë kohës janë pothuajse si macja me miun, sepse Stiven i gërmon në gjërat e tij personale. Bjordi e humbet këtu figurën e dajës, sepse grinden shumë.
“Pecora”, janë miqtë e Bjordit, të cilët ai i përmend me shumë dashuri. A e ndjekin ata Bjordin?
Për Bjordin miqësia zë një nga vendet më kryesore në jetën e tij, pas familjes. Ai i adhuron shokët, jam njeriu më i lumtur, jam nga nënat më të lumtura, sepse vërtet Bjordi ka rreth vetes shokë që i përshtaten atij edhe nga ana intelektuale edhe nga ajo shpirtërore. Ai në këtë pikë më ngjan mua, ose krijon raporte afektive, raportet false nuk i njeh. Shokët e Bjordit e ndjekin atë hap pas hapi, nëpërmjet internetit, unë i kam pajisur ata edhe me Digitalb në Itali, por edhe prindërit e tyre janë të interesuar ta ndjekin Bjordin në çdo moment. Shokët presin vetëm një miratim, për të ardhur e për ta përshëndetur brenda në “Big Brother”. Unë besoj se “Big Brother” do të krijojë mundësinë që miqtë të vijnë e ta përshëndesin Bjordin.
Kë shikoni fitues, zonja Antoneta?
Djalin tim.
Po në finale?
Në finale unë shikoj Adin, Adelajdën dhe Bjordin. Janë më të pastrit.
Lidhja e Bjordit me Adin. Ata duken shumë dashamirës sa harrojnë që janë rivalë në këtë lojë....
Adi me dashurinë që i shpreh Bjordit ka ngritur shumë lart figurën e tij. Është gjëja më humane që mund të ketë Adi. Kur del Lirita ai e shikon Bjordin dhe e ngushëllon, i thotë: “Bjordi unë të dua të fortë, ti duhet të fitosh”, ”Jo Adi,- thotë Bjordi, - duhet të fitosh ti, sepse unë e kam të ardhmen përpara”, me të vërtetë kjo më prek edhe Adi i përgjigjet: ”Fitorja ime është e arritur kur të të shikoj ty fitimtar”. Besoj se asnjë nga konkurrentët nuk mund të bëjë apo të shprehë diçka të tillë pa e ndier thellë në shpirt.
Banorët dhe ndoshta një pjesë e publikut e ”paragjykojnë” disi Bjordin për gjuhën...
Unë them ata le të mos shikojnë gjuhën, por të shikojnë mendimin e plotë që ka Bjordi, logjikën e tij të shëndoshë dhe mençurinë që ka ai.
Çfarë ka nga një djalë karakteristik shqiptar Bjordi?
Një djalë shqiptar duhet të karakterizohet mbi të gjitha nga burrëria, besnikëria, ndershmëria dhe Bjordi këto cilësi i ka.
Ky lajm është publikuar: 11/04/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›