Takimi PD-LSI, Berisha: Do kërkojmë konsensus sa më të gjerë
(E PERDITESUAR)- Kryetari i LSI tha se nuk është folur për emra konkretë, por për një proces që do sjellë një president me mbështetje më të gjerë se mazhoranca aktuale
Ka zgjatur relativisht pak takimi mes kryetarit të LSI, Ilir Meta dhe kryetarit të PD, Sali Berisha. I pari doli nga takimi Ilir Meta, që tha se është shprehur vullneti që të ketë një president, i pranuar jo vetëm nga mazhoranca qeverisëse.
Në këtë takim nënvizuam rëndësinë që zgjedhja e presidentit të vlerësohet si një moment kulmor i një procesi, që ndihmon në radhë të parë vendin, që të ndjehet më i bashkuar, dhe së dyti reformat, që janë shumë të rëndësishme për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Ne shprehëm vendosmërinë për të kontribuar për procesin që të jetë kushtetuese, konstruktiv dhe sa më konsensual. Të bëhen përpjekjet që presidenti të zgjidhet që me raundin e parë dhe të jetë një mesazh i pjekurisë politike të klasës sonë politike, tha Meta.
Nuk kemi biseduar për emra konkretë, biseduam për rëndësinë e procesit që të jetë sa më gjithëpërfshirës. Në këtë drejtim mendoj se vullneti i duhur për ta kristalizuar këtë proces mund të sjellë një ose disa emra të pranueshëm, më gjerë se mazhoranca aktuale në parlament. Për ne nuk është e rëndësishme të paragjykojmë, për ne është e rëndësishme të jetë i sinqertë vullneti për të pasur një president me mbështetje më të gjerë se mazhoranca aktuale, vijoi kryetari i LSI.
Kurse kryeministri Sali Berisha dukej se ishte nisur për tu larguar, por ndaloi makinën dhe dha një prononcim të shkurtër për mediat. Ai tha se do vijojnë negociatat, por vetë nuk do e takojë Ramën.
Ky ishte një takim me përputhshmëri të plotë mendimesh. Me udhëheqjen politike të LSI, që është aleat kryesor i PD në koalicion, u ra dakord plotësisht që të bëhet çdo përpjekje në mënyrë që presidenti i republikës të zgjidhet me konsensusin më të gjerë të mundshëm. U shpreh besimi se kjo është një mundësi reale. U ra dakord që të vazhdojnë takimet intensive për të bërë sa më shpejt të jetë e mundur vendin me kryetarin e merituar të shtetit, tha Berisha.
Vullneti i kësaj mazhorance do të jetë që në raundin e parë të ketë kandidatë seriozë, dinjitoz, kandidat që mund të nderojë vendin në detyrën e tij. Më vonë do takoj aleatët e mi të tjerë dhe më pas do kemi takime me PS dhe PBDNJ. Në takimin me PS, e ftoj Ramën të tregojë besim tek bashkëpunëtorët e tij. Unë kam takuar Patozin dhe Spahon për kontakte me PS. Ne synojmë një proces civil, të qytetëruar dhe të përgjegjshëm, vijoi kryetari i PD.
Momenti i këtyre diskutimeve është delikat për shkak se LSI në disa raste ka përçuar mesazhe se mund të largohet nga koalicioni. Vetëm dje LSI u largua nga votimi duke e lënë PD me 68 vota. Ishte ky ndoshta një mesazh për ti treguar Berishës se nuk bën pa të. Ndërkohë një çështje që mbetet e pazbardhur është se çfarë përmbante marrëveshja mes PD e LSI në vitin 2009, ku parashikohej zgjedhja e presidentit të ri.
Kryeministri Sali Berisha lëshoi një sërë mesazhesh kontradiktore dje në mbledhjen e kryesisë, duke lënë të pasqaruar nëse do një president konsensual, apo një njeri të PD në krye të shtetit.
Mediat kanë spekuluar sot se Berisha kërkon që të shmangë Ramën nga negociatat, pasi ka vendosur që të bëjë takimet në Kuvend, ku më së shumti Berisha do takohet me Ruçin.
