A ka njerëz të pavarur në Shqipëri?
Kur ekspertët e ODIHR erdhën në Shqipëri për të diskutuar në lidhje me përbërjen e KQZ, pati shumë debat në lidhje me faktin se a ka mundësi që në këtë vend të ketë njerëz të paanshëm.
Pak a shumë tezën se në Shqipëri nuk ka njerëz të paanshëm e ka mbrojtur edhe Sali Berisha në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PD. Ai tha se nuk ekziston një kopsht i unitetit të vendit, ku mund të marrësh kandidatë.
Kushtetuta, ka germën dhe frymën shumë të qartë, personi që zgjidhet president republike, nuk vjen nga kopshti i unitetit të kombit, se ai kopsht nuk e njoh, unë nuk e di se ku është, po ai vjen nga vlerat qytetare që ka të qartë se do ti përmbahet kërkesës Kushtetuese si përfaqësues i unitetit të popullit të tij, tha Berisha.
Për këtë arsye, kryeministri tha se presidenti i ri duhet të jetë një figurë politike. Karrigia e një presidenti është e një politikani, sigurisht sepse ky vend, ky post është një post shumë përfaqësues për vendi, brenda dhe jashtë, ka nderet dhe jo vetëm nderet e vendit. Kështu që më duket mua se na takon të qëndrojmë për të nderuar këtë post me një personalitet politik, tha Berisha.