PS: Reflektim për dalje nga kriza politike e kushtetuese
Partia Socialiste ka shprehur sot shqetësimin për krizën e rëndë politike, kushtetuese e institucionale të krijuar si rrjedhojë e votimit parlamentar të së hënës për dekretet e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë.
Deputeti Fatmir Xhafaj, gjatë një deklarate për shtyp ka theksuar se presidenti i Republikës, në respekt të detyrimeve të tij kushtetuese e ligjore të hedhë hapat e duhur për të zgjidhur këtë krizë të radhës me pasoja të konsiderueshme.
“Partia Socialiste vlerëson se konsultimi me Kryetarët e partive politike parlamentare është e drejtë që cmohet e realizohet nga Presidenti në ushtrimin e rolit dhe përgjegjësive të tij në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, ndërsa përcaktimi iemrave konkretë që do t’i propozohen Kuvendit mbetet kompetencë kushtetuese eskluzive e vetë Presidentit të Republikës”- tha Xhafaj.
Sipas tij, bllokimi i veprimtarisë normale të Gjykatës së Lartë me mosplotësimin e 7 vendeve vakantë të saj, ka krijuar tronditje të rëndë në institucionin më të lartë në hierarkinë vendimmarrëse të pushtetit gjyqsor.
“Një Gjykatë e Lartë e bllokuar do të thotë më shumë liri për krimin, më shumë hapësirë në cenimin e lirive dhe të drejtave të shtetasve, më shumë çoroditje lidhur me çështjet e mprehta të pronësisë, më shumë konflikte civile të pazgjidhura, më pak drejtësi të dhënë dhe më shumë drejtësi të cunguar”- tha ai.
Votimi kundër në bllok i realizuar nga maxhoranca, sipas Xhafës, me të ashtuquajturin “votim në princip” është një tentativë e qartë për të vendosur nën kontroll dhe diktat politik këtë institucion të lartë të pushtetit gjyqsor.