E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kapen me 100 pistoleta, 4 në pranga

Kukës- Policia ndaloi sot katër persona, pasi u kapën duke transportuar 100 pistoleta. Sipas burimeve zyrtare të policisë mësohet se në pranga u vunë shtetasit Fiqiret Onuzi, 26-vjeç, Alfred Qafa, 25-vjeç, Bujar Ajeti, 37-vjeç dhe Baftjar Halili, 31-vjeç.

“Këta persona u ndaluan, pasi në automjetin me të cilin udhëtonin iu gjetën 100 copë pistoleta”- thanë burimet e policisë së Kukës, duke sqaruar se automjeti u bllokua në aksin rrugor Kukës-Qafë Mali.

Sipas policisë, ka nisur menjëherë çështja penale ndaj këtyre personave, me akuzën e trafikut të armëve, ndërkohë që ata po merren në pyetje për të sqaruar implikimin e tyre në këtë trafik. Pas kësaj, pritet të hidhet dritë mbi vendin nga ishin marrë dhe për ku ishin destinuar pistoletat.

"Hetimet sapo kanë nisur, ndaj ende nuk mund të themi nëse është një rast i izoluar i trafikut të armëve, apo një grup i mirëorganizuar i këtij lloj trafiku", thanë burimet policore, duke shtuar se për transportin e kësaj sasie pistoletash policia ka marrë informacion në rrugë operative.

Të dhënat e para tregojnë se pistoletat janë të tipit Zastava dhe dyshohet se janë trafikuar nga kosova, por gjithçka pritet të zbardhet pas hetimeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›