PS: Ruli, tjetër aferë korruptive me HEC
07/01/2011 Partia Socialiste ka akuzuar sërish gjatë paradites së djeshme ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli, për një tjetër aferë korruptive, sa i përket dhënies së licencave për ndërtimin e hidrocentraleve gjatë kohës që ishte ministër i Ekonomisë. Në një deklaratë për shtyp, deputetja e PS-së, Ermonela Felaj tha dje për mediat se në mënyrë abuzive Ruli ka dhënë koncesionin e HEC-eve në pellgun ujor Bënçë-Progonat në rrethin e Tepelenës. Ndër të tjera, ajo kërkoi që ministri Ruli të hedhë dritë mbi këtë çështje, përpara se Partia Socialiste të bëjë publikimin e dokumenteve që lidhen me këtë aferë. “Shpresojmë që Genc Ruli të ketë mësuar nga eksperienca e tij gjatë vitit 2010 dhe të gjejë guximin të shpjegojë publikisht të vërtetën e këtij koncesioni. Në të kundërt, Partia Socialiste do të kryejë detyrën e saj kundrejt publikut, duke e zbardhur ajo të vërtetën e koncesionit për ndërtimin e HEC-eve në pellgun Bënçë-Progonat”, u shpreh dje Felaj. Gjithashtu, ajo kërkoi sqarime nga ministri për emrin e firmës që ka marrë të drejtën për të ndërtuar hidrocentralet në pellgun ujor Bënçë-Progonat.