PS: Saliu e ka fajin për ndotjen, shqiptarët nuk e votojnë më

Partia Socialiste ka reaguar sot deklaratave të kryeminstrit Berisha se mjedisi në kryeqytet është lënë në mëshirën e fatit por kjo pritet të ndryshojë me zgjedhjen e kryetarit të ri. Në një konferencë për shtyp anëtarja e asamblesë së PS-së Megi Ajtyresa theksoi se sipas kryeministrit një njeri në kërkim nga drejtësia fillimisht si hajdut e së fundmi edhe si vrasës, mund të konkurrojë në garë për Kryeqytetin.
“Sipas Saliut, një Ministër që iu përgjigj me 4 plumba vdekjeprurës protestuesve që kërkonin punësim e mirëqenie, tani na paska të drejtën të kërkojë edhe votat e kryeqytetasve. Saliu flet për gjelbërim por e ka fajin Saliu dhe askush tjetër që në Shqipëri pyjet janë rrafshuar nga sharrat e Kryekomunarëve demokratë” theksoi Ajtyresa.
Ajo gjithashtu bëri fajtor kryeministrin për të gjithë ndotjen dhe sëmundjet vdekjeprurëse që burojnë nga fabrikat e çimentos, në pronësi të familjarëvetë tij .
“E ka fajin Saliu që duke lejuar importin e plehrave po e kthen Shqipërinë në koshin e plehrave të Europës. Kurrë më nuk do e votojnë shqiptarët Saliun. Kurrë më nuk mund t`i besojnë shqiptarët këtij njeriu që bën ekzaktësisht të kundërtën e asaj që premton” shtoi Ajtyresa.
Ajo gjithashtu theksoi se në zgjedhjet e ardhshme, shqiptarët do i japin atij një mesazh të qartë duke mos votuar më për PD-në dhe kryeministrin Berisha.
“Kurrë më votë për Saliun. Kurrë më votë për Salinjtë e tjerë. Ka vetëm një rrugë për t`i rikthyer shpresën shqiptarëve e për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza, Partia Socialiste” përfundoi Ajyresa.