E Diel, 1 Nëntor 2026

Gratë demokrate festojnë me Berishën: Më 8 maj, Tirana do bëhet blu

Ndërsa gratë socialiste protestonin në sheshin para Kryeministrisë, kreu i ekzekutivit, Sali Berisha, në Pallatin e Kongreseve, i brohoritur nga demokratet, ftoi shqiptarët që të përulen para grave dhe vajzave në shenjë nderimi dhe respekti për sakrificat dhe kontributin, që kanë dhënë dhe japin. “Arritjet janë të mëdha dhe historike, por sërish, mundimet tuaja, vështirësitë tuaja, problemet tuaja janë jo të pakta. Si shpatë e Demokleut mbi liritë tuaja dhe jo vetëm të gruas shqiptare, por të gruas në çdo vend të lirë të botës, qëndron muri i patriarkisë. Ky mur i ndërtuar në 5 mijë vite me radhë, ky mur në të cilën u investuan, doktrina të tëra filozofike dhe fetare, ky mur në të cilën u investuan doktrina të tëra shkencore, deri në mes të shekullit që shkoi duhet shembur, duhet rrëzuar në mënyrë që ne të kemi barazi të plotë reale midis nënës dhe babait, midis motrës dhe vëllait, midis burrit dhe gruas”, - tha dje Berisha. Gjatë fjalës së mbajtur, Kryeministri i vendit nuk iu shmang edhe gjuhës së ashpër ndaj opozitës. “Sot fije të së shkuarës, pinjollë të atyre që përmbysëm 20 vjet më parë me votën tonë të lirë, janë vërsulur me tërbim kundër saj, kundër votës, kundër sensit të lirisë, por ne mund tu themi atyre se kjo betejë është betejë e humbur, se vota e lirë e shqiptarëve është dhe do të mbetet kryevlera e vajzave dhe grave dhe e të gjithë atyre që besojnë lirinë. Në këngën, në poemën në legjendën, në jetën, në skenën shqiptare gruaja shqiptare ka merituar të gjithë titujt, të gjitha himnet, të gjitha poemat, të gjitha këngët, të gjitha poezitë. Emri i saj më i bukur është emri fitore, emri juaj është fitore. Ishte fitorja e 22 marsit, ishte fitorja e 2005-ës, ishte fitorja e 2009-ës, është fitorja e 2011-ës, është fitorja e 8 maj. Shqipëri blu është shpirti juaj, Tirana blu është zemra juaj”, - tha Berisha. Në ceremoninë e djeshme në Pallatin e Kongreseve, ku morën pjesë gra demokrate nga e gjithë Shqipëria ka folur edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli. “Ne gratë kemi guximin të refuzojmë dhe të mos lejojmë, as dhunën, as ato që ushtrojnë dhunë. Ne gratë kemi kurajën për të kundërshtuar me vendosmëri çdo burrë, që për egoizmin e tij personal bën tentativa të dështuara të dhunojë shtetin tonë. Ne gratë jemi të vendosura për të bërë më të mirën për fëmijët, familjen, atdheun. Ne gratë nuk dorëzohemi kurrë. Sot nuk ndajmë vetëm vlera të përbashkëta, por ndajmë interesa të përbashkëta. Ne ndajmë një të ardhme të përbashkët”,- tha ajo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›