E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gratë e PS protestë para Kryeministrisë për 8 mars

Politika, ashtu siç ka bërë me një pjesë të madhe të shoqërisë shqiptare, ka ndarë edhe gratë. Dhe kjo ka ndodhur pikërisht në ditën e gruas, dje më 8 Mars, ku ndërsa në Pallatin e Kongreseve gratë demokrate festonin, vetëm pak metra me tutje përballë Kryeministrisë, gratë socialiste protestonin. Vetëm gjysmë ore, pasi kishin nisur festimet, PD në Pallatin e Kongreseve, rreth orës 11:00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” para godinës së kryeministrisë, mbështetëset femra të Partisë Socialiste nisën protestën kundër qeverisë dhe kryeministrit Berisha. Me thirrjet “Jo dhunës së Saliut”, “Jo varfërisë” dhe “Jo korrupsionit”, qindra gra të ardhura dhe nga rrethet kanë kërkuar largimin e kryeministrit Sali Berisha dhe kryeparlamentares Jozefina Topalli, si dy personazhet që, sipas tyre, po mbajnë peng zhvillimin e vendit dhe të shoqërisë shqiptare. Tubimin e ka hapur deputetja socialiste e Tiranës, Vasilika Hysi, e cila në fjalën e vet, ndërsa ka uruar pjesëmarrëset për ditën e tyre, ka theksuar se një pjesë e mirë e femrave shqiptare nuk kanë mundësi të festojnë si koleget e tyre demokrate, për shkak të varfërisë së tejskajshme që përjetojnë në familjet e tyre. Ndërsa deputetja tjetër, Shegushe Ligori, vuri theksin se varfëria që ka mbërthyer shoqërinë shqiptare i ka rrënjët pikërisht tek vota e vjedhur në zgjedhjet e 2009. Në podium është ngjitur edhe deputetja tjetër socialiste, Mimi Kodheli, e cila ka përgëzuar gratë që sipas saj kishin sfiduar frikën e pushtetit dhe nuk kishin vendosur për të protestuar për të drejtat e tyre. “Ne sot jemi nën një regjim që kërkon të sigurojë mbijetesën dhe pasurimin e tij, duke ngushtuar hapësirat e qytetarëve. Sot Shqipëria është më e varfër se dje me këtë qeveri, nesër do jetë edhe më e varfër se sot. Arsyeja pse sot jemi këtu është që t’ia kursejmë vendit të tatëpjetën që ka marrë, t’jua kursejmë këtë fëmijëve tanë që ata të mos humbin shpresën për të ardhmen e tyre”, - u shpreh deputetja socialiste Valentina Leskaj, ndërsa garantoi pjesëmarrëset se PS është shpresa e çdo shqiptari. Në këtë tubim e kanë marrë fjalën edhe gra e studente të paangazhuara në politikë, të cilat kanë prurë për pjesëmarrëset eksperiencat e tyre me të cilat janë përballur gjatë qeverisjes së demokratëve. Një studente e ardhur nga Italia, ka vënë theksin se vendi ynë për shkak të keqeverisjes nuk ka krijuar besimin tek të rinjtë, për t’u kthyer dhe punuar në Shqipëri, pasi mbarojnë studimet jashtë. Ndërsa një mësuese ka denoncuar fenomenin e pushimeve nga puna në sistemin arsimor, për shkak të bindjeve politike. Në këtë protestë kanë marrë pjesë dhe të afërme të katër viktimave të vrara më 21 Janar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›