E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqata Punonjësit e Gërdecit letër kryeministrit Berisha

 

TIRANË- Shoqata “Punonjësit e Gërdecit” i ka drejtuar dje një letër kryeministrit Sali Berisha, përmes së cilës kërkohet plotësimi i disa kërkesave. Në rast se nuk realizohen, punëtorët e Gërdecit paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë urie. Shoqata e Punëtorëve të Gërdecit e përfaqësuar nga Andi Belliu dhe e mbështetur edhe nga Lëvizja politike “G99”, bëri dje publike kërkesat për dëmshpërblim të pasojave të tragjedisë së Gërdecit, një tragjedi për të cilën shteti mban përgjegjësi. Punëtorët e Gërdecit kanë kërkuar ndihme emergjente, në vlerën monetare në shumën 400 000 (katërqind mijë) lekë të reja për punëtor. Shoqata kërkon dëmshpërblim në vlerën monetare sipas Aktit të të Drejtave Themelore të Njeriut, në mënyrë reale dhe jo stimuluese: a) Për ata që humbën jetën, t’u lidhet pension familjeve të tyre në shumën 40 000 (dyzet mijë) lekë të reja në muaj. Për punëtorët që u plagosen në fabrikë, të dëmshpërblehen me shumën 150 000 lekë të reja. Ata kanë kërkuar që t’u paguhet rroga për 1(një)vit dhe të trajtohen me asistencë për vitin tjetër sipas Kodit të Punës. Nga data 01/06/2007 e deri në datën 15/03/2008, punëtorët e Gërdecit kërkojnë që t’u njihen Sigurimet Shoqërore, të plota, sipas vështirësisë së punës që kryenim, të cilat, sipas tyre, u ishin premtuar nga kompania “Alba-Demil”. Ndër të tjera, ata kanë kërkuar gjithashtu që të dëmshpërblehen të gjitha familjet e viktimave që akoma nuk kanë marrë ndihmë financiare, duke përfshirë edhe shpenzimet e varrimeve. Për sa më sipër, shoqata në fjalë kërkon një përgjigje konkrete nga ana e kryeministrit Sali Berisha brenda pesë ditëve, pasi në të kundërt, ata do të hyjnë në greve urie pa afat. Përfaqësuesi i “G99”, Erion Veliaj që u ndodh dje pranë protestës dhe bërjes publike të deklaratës së kësaj shoqate, theksoi se shteti ka një detyrim ndaj këtyre njerëzve. ““G99” ka qenë vazhdimisht dhe do të gjendet afër banorëve të kësaj zone të prekur nga kjo tragjedi dhe shqetësimeve të tyre edhe në vazhdim”,- premtoi Veliaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›