Grevistët, dy propozime për kompromis
10 deputetët i shkruajnë Ramës e Berishës
Komisione teknike ose me gjithë partitë parlamentare
Grevistët marrin të parët hapin drejt kompromisit dhe pse pas 6 ditësh në grevë urie nuk kanë pasur ndonjë reagim nga dy partitë e mëdha për të negociuar. Në një letër dërguar krerëve të dy partive të mëdha, 10 deputetët që janë futur në grevë urie, hedhin në tryezë dy propozime konkrete për përbërjen e komisioneve të administrimit të zgjedhjeve. Letra e cila përveç Sali Berishës dhe Edi Ramës u ka shkuar dhe krerëve të tjerë të shtetit dhe përfaqësive kryesore diplomatike në vend, është hapi i parë konkret i ndërmarrë për zgjidhjen e situatës që pas vendimit të disa partive të vogla politike për t’u futur në grevë urie në sallën e Kuvendit. Letra u dërgua dje pasdite dhe mban firmën e 12 deputetëve, përkatësisht të LSI-së, PDK-së dhe Petro Koçit të PS’91. Ndërkohë, do të pritet reagimi i dy partive të mëdha mbi këto propozime, pasi ato e kanë miratuar tashmë Kodin Zgjedhor në komisionin parlamentar po kanë lënë të nënkuptojnë se do kohë që ai kod të marrë formën përfundimtare, që ka të bëjë me votën në Kuvend.
Propozimet
Duke sqaruar arsyet pse u futën në grevë, deputetët grevistë kërkojnë reflektim dhe reagim nga politika dhe ndërkombëtarët për zgjidhjen e kërkesave të tyre. “Ju propozojmë që të bëjmë një depolitizim të plotë të gjithë komisioneve të administrimit të zgjedhjeve duke zgjedhur gjithë anëtaret e tyre nga shoqëria dhe administrata civile, jo anëtarë të forcave të ndryshme politike. Në këtë mënyrë të gjitha partitë bëhen të barabarta para ligjit. Përbërja politike e administratës zgjedhore kur mbetet si opsion nuk është aspak çështje teknike”, - shkruajnë ata në letër duke hedhur një ide të re në skenë. Por për të mos mbetur vetëm tek një alternativë zgjedhjeje për PS e PD ata propozojnë dhe variantin gjithëpërfshirës. “Nëse nuk pranohet ky propozim për të depolitizuar gjithë procesin e administrimit të votave, atëherë t’u japim mundësinë të gjitha partive parlamentare apo grupimeve të tyre në koalicione zgjedhore të përfaqësohen në mënyrë të barabartë në komisionet e administrimit të votave dhe zgjedhjeve. Ne propozojmë që shteti mos të marrë përsipër pagesën për këta komisionerë, por partitë të gjejnë vullnetarë për t’i përfaqësuar ato pa shpërblim. Në këtë mënyrë nuk i harxhojmë taksapaguesve shqiptare asnjë qindarke për komisionet e administrimit të zgjedhjeve”, - shkruajnë grevistët duke sqaruar propozimin e dytë. Për të mbështetur kërkesat e tyre ata citojnë dhe raportin e OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 2005-ës ku shkruhet se “Kodi i ri Zgjedhor duhet të sigurojë një administrim më pluralist dhe gjithëpërfshirës në administrimin e zgjedhjeve, një administrim që nuk kontrollohet dhe dominohet nga dy partitë kryesore politike”. Ndërkaq, sipas grevistëve, zgjedhjet e përgjithshme administrative të vitit 2007 i dhëne Partisë Socialiste 23% të votave të shqiptarëve dhe Partisë Demokratike 20% të tyre. Rezultoi se këto dy parti së bashku kanë vetëm 43% të elektoratit. Në këto kushte, ne gjykojmë se nuk është aspak e drejtë dhe demokratike që administrimi i zgjedhjeve të ardhshme të kontrollohen nga vetëm këto dy parti”, - shprehen ata në letër.
Letra i drejtohej:
Z. Bamir topi
President i Republikës
Znj. Jozefina topalli
Kryetare e Kuvendit
Z. Sali berisha
Kryeministër
Z. Edi rama
Kryetar i Partisë Socialiste
Sh.t. Ambasadori Robert Bosh
Prezenca e OSBE-së
Sh.t. Ambasadori Helmut Lohan
Ambasada e Bashkimit Evropian
Sh.t. Ambasadori Xhon l. Uidhërs II
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës