Hidhet nga kati i 12-të, vdes 20 -vjeçarja

ELBASAN/ I fejuari: U largua nga tavolina duke thënë se do të shkonte në banjë dhe më pas u hodh nga veranda e lokalit
Alma Karaj nuk kishte shumë kohë që ishte fejuar dhe dëshmitarët thanë se ajo nuk dukej aspak e mërzitur
ELBASAN - Një 20-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i 12-të i një pallati ku ndodhej një lokal në qendër të qytetit të Elbasanit.
Alma Karaj, 20 vjeçe, me banim në Mamël të komunës Gracen, ka qenë e ulur në një tavolinë bashkë me të fejuarin e saj, Hekuran Hasa, 25 vjeç, kur në një moment është ngritur e ka thënë se do të shkonte në banjë. Në verandën e lokalit ajo është ngritur mbi bordurën dhe është hedhur duke rënë mbi trotuar.
Ngjarja e rëndë ndodhi në mesditë rreth orës 13:30 kur lokali ishte plot me njerëz dhe po kështu rruga në afërsi të Pallatit të Sportit "Tomorr Sinani". I fejuari i vajzës kur ka dëgjuar zërat e njerëzve, është afruar në verandë dhe ka parë se ajo ishte hedhur nga kati i 12-të.
Ka mundur të thotë vetëm fjalët: "Është e fejuara ime" dhe pasi ka parë nga lartësia, ka nxituar tek ashensori për të zbritur poshtë i terrorizuar. Për vajzën nuk pati asnjë mundësi shpëtimi për shkak të lartësisë dhe përplasjes në trotuar.
Menjëherë patrullat e policisë kanë rrethuar vendin e ngjarjes. I fejuari i vajzës është shoqëruar në polici për të sqaruar rrethanat e ngjarjes. Personat e ndodhur afër tavolinës ku ka qëndruar çifti nuk kanë vënë re asnjë shenjë grindjeje mes tyre.
Nga dëshmitë e tyre çifti është dukur krejt normal pa rënë në sy ndonjë shprehje konflikti apo depresioni. Megjithatë, agjentët kanë marrë në pyetje edhe kamerierin që doli i pari në verandë pasi ndodhi ngjarja.
Ai tregoi se menjëherë pasi dy persona që ndodheshin në pritje të ashensorit dolën në verandë, doli edhe ai për të parë çfarë kishte ndodhur. Në atë moment vjen edhe i fejuari i vajzës. Ai sheh përtej bordurës, shikon poshtë dhe thotë se ishte fejuara e tij. Në atë moment nxiton drejt ashensorit për të zbritur e për të mbërritur poshtë ku ndodhej trupi pa jetë i 20-vjeçares.
Policia: Mendohet depresion
Ndërsa ka marrë të fejuarin në pyetje, policia ka deklaruar se deri tani mendohet një gjendje depresive e 20-vjeçares, e cila ndoshta në një moment dobësie reagoi në formën më të keqe. I pyetur djali nuk ka dhënë një shkak të mundshëm të ngjarjes.
Ai nuk ka përmendur një konflikt të mprehtë mes tyre që e ka çuar deri në vetëvrasje vajzën. Gjithsesi, agjentët janë nisur drejt familjarëve në fshatin Mamël për të mësuar më tepër mbi gjendjen emocionale të vajzës ditët e fundit. Dy të rinjtë nuk kishin shumë kohë të fejuar.
Familjarët e vajzës kanë thënë se ajo ka pasur disa debate e konflikte me të fejuarin, por jo në atë masë sa të mendonin se vajza e tyre do të tentonte dhe kryente vetëvrasjen.
Të tronditur ata kanë mësuar ngjarjen e regjistruar në mes të qytetit ku i dha fund jetës 20-vjeçarja. Kjo ngjarje e rëndë që tronditi qytetin aktualisht nuk ka një shkak të fortë. Gjithsesi agjentët vazhdojnë hetimet për të zbardhur rrethanat e kësaj vetëvrasjeje spektakolare në qendër të qytetit.