PS: Të hapur për bashkëpunim
Tiranë- Partia Socialiste është e hapur për të vijuar bashkëpunimin e nisur me aleatët. Deklarata, një ditë pas zhvillimit të tryezës së opozitës, është bërë nga kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj.
Ajo ka deklaruar se Partia Socialiste është partia lider, e cila udhëheq rolin opozitar për të gjitha problemet e mëdha dhe të rënda që po përballon vendi, probleme që kanë të bëjnë me varfërinë, me korrupsionin, me drejtësinë dhe me sigurinë.
Leskaj e ka cilësuar këtë një rol, që PS do të vazhdojë ta bëjë. Interesimit të mediave për vijimin e bashkëpunimit me alelatët ajo i është përgjigjur prerë se “PS do të mbetet e hapur për të vazhduar diskutimet, tryezat me të gjithë aleatët ashtu siç i kemi ftuar edhe më parë. Ajo që dua të them sot është se besoj se sot është dita për të ftuar gjithë shqiptarët që nesër të jenë në protestë për të protestuar për më shumë siguri, për të protestuar për më shumë drejtësi në Shqipëri”.
Sipas saj, çështjet e bashkëpunimit me gjithë frontin opozitar dhe jo vetëm me frontin që është sot opozitar, por dhe me të tjerë që mund të jenë aktualisht ndoshta në qeveri, nuk ka të bëjë me çështjen e koalicionit.
Diskutimi i djeshëm, ka theksuar ajo, nuk ishte për çështjen e koalicionit, por ka qenë për krijimin e një fronti të përbashkët për më shumë drejtësi e siguri në vend, për standarde demokratike në vend. “Natyrisht, ne mbetemi të hapur dhe për koalicionet”- shtoi më tej.
Aktualisht, sipas saj, të gjitha opsionet janë në tavolinë dhe PS-ja është e hapur për të diskutuar çfarëdolloj propozimi që mund të sjellin aleatët tanë. Kjo, sipas Leskajt do thotë që procesi që filloi dje me tryezën nuk është një proces i mbyllur. “Ne jemi të hapur për çdo lloj propozimi dhe afrimi që ata mund të kenë”- përfundoi ajo.