Rama: Projekti i Sharrës është punë e bashkisë
Tiranë- “Projekti i Sharrës për mbetjet urbane është i bashkisë së Tiranës, ndërsa qeveria vazhdon të shfaqet para kamerave me punët e bëra nga të tjerët”. Kështu është shprehur sot kryetari i bashkisë së Tiranës, Edi Rama, pas përurimit të impantit të përpunimit të mbeturinave në Sharrë nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi.
“Kandidati humbës i Sali Berishës në zgjedhjet për Tiranën u shfaq në fushën e Sharrës dhe bëri për llogari të kryeministrit, atë që vetë Sali Berisha po bën në tërë Shqipërinë e gjithashtu në Tiranë, duke u përpjekur ta mbushë gropën e madhe të premtimeve të tij të pambajtura me punë bashkiake e komunale, të cilave u del për zot para kamerave, me pafytyrësinë shembullore të gënjeshtarit profesionist”- tha Rama sot, gjatë një konference për shtyp.
Sipas tij, kryeministri që s’di të punojë, por vetëm të gënjejë, rrëmbeu sot autorësinë e një pune që ka nisur në vitin 2001, me kërkesën time këmbëngulëse ndaj qeverisë italiane për të financuar rehabilitimin dhe modernizimin teknologjik të Fushës së përpunimit të mbeturinave të kryeqytetit.
Ky financim u përfshi në vitin 2002, në protokollin e bashkëpunimit trevjeçar të Kooperacionit Italian me Shqipërinë dhe në korrik të vitit 2004 u miratua në Kuvendin e Shqipërisë të asaj kohe, kur Sali Berisha, ka theksuar Rama ishte kundër projekteve që sot i shet si të tijat, duke gënjyer kudo ku shkel.
“Në rast se Sali Berishaqë erdhi në krye të qeverisë, një vit pas miratimit të financimit të këtij projekti të Bashkisë së Tiranës, do të kishte bërë vërtet detyrën e tij, sot në fushën e Sharrës nuk do mbyllej faza e parë, por do ishte mbyllur krejt projekti, i cili për fat të keq mundi të nisë veçse në tetor të vitit 2007, pas një zvarritjeje skandaloze nga ana e kësaj qeverie të paaftësh”- theksoi ai.
Më tej, ai ka pranuar se vetëm duke zbritur në këtë fushë, mund të mësojë sesi bëhen punë të mira për njerëzit tanë. “Por dua që jo vetëm kryeqytetasit po të gjithë qytetarët e Shqipërisë, ta dinë se e vetmja gjë që Sali Berisha dhe kjo qeveri të paaftësh e gënjeshtarësh profesionistë ka bërë për fushën e Sharrës e për Tiranën në tërësi është zvarritja e pafundme e detyrimeve të saj ligjore për kryeqytetin si edhe ushqimi i Lanës së vjetër të akuzave e shpifjeve për ndotjen e punës sonë”- tha ai, duke garantuar se Lana e llumit të politikës së vjetër, do të shkojë duke u fryrë me gjithëfarë të zezash në muajt në vijim, deri sa të zbrazet përfundimisht me votën e popullit, në zgjedhjet e vitit 2009.