Qeni shpëton të zotin, njofton me telefon urgjencën
UASHINGTON- Badi, një qen “pastor gjerman”, 18 muajsh, i ka shpëtuar jetën të zotit. Ai ka përdorur telefonin për të njoftuar urgjencën, ndërkohë që i zoti ishte shtrirë përdhe në gjendje të rëndë. Ngjarja ka ndodhur në Skotsdeil, në Arizonë.
Badi, qeni i Xho Stalnaker, ishte stërvitur për të pasur nën kujdes të zotin, që vuante një nga sëmundje epileptike. Kur burri u ndje keq, ra përtokë dhe nisi konvulsionet, qeni nuk priti gjatë.
Ai u nis me vrap drejt telefonit, ngriti receptorin, ndërkohë me dhëmbë mbajti të shtypur tastet e telefonit për disa sekonda. Stalnaker, që më parë e kishte marrë parasysh një ndodhi të tillë, kishte bërë gati një telefonatë automatike për ndihmë drejt urgjencës.
Nga ana tjetër e telefonit janë ndier bashkë me mesazhin edhe lehjet e qenit që njoftonte rrezikun. Ndihma e shpejtë mbërriti në shtëpinë e Stalnaker vetëm tri minuta pasi ishte bërë thirrja e urgjencës.