Masat e bankave lehtësojnë tregjet në Evropë dhe SHBA
Tregjet financiare në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara kanë reaguar pozitivisht ndaj injektimit të dhjetëra miliarda dollarëve nga bankat kryesore qendrore të botës. Në New York, indeksi industrial Dow Jones u hap me një vlerë 1.5 përqind më të lartë.
Tregjet në Gjermani, Francë dhe Britani po ashtu shënuan fitime pas ditëve të tëra me humbje.
Gjashtë bankat kryesore, mes tyre Rezerva Federale, Banka e Japonisë dhe Banka Qendrore Evropiane, po ndërmarra masa të koordinuara duke ofruar fonde për të përmirësuar likuiditetin.
Ky hap pason shenjat e stresit të rëndë që po përjetojnë tregjet e kredive që mblështesin aktivitetin më të gjerë financiar dhe ekonomik.
Lehtësim
Korrespondenti i BBC-së për çështje ekonomike, Andrew Walker, thotë se pas ndërhyrjes së bankave, presioni mbi tregjet financiare është lehtësuar disi, por gjendja e tyre është larg prej normales.
Gjashtë bankat qendrore po përfitojnë nga marrëveshjet ekzistuese dhe po i huazojnë bankave 180 miliardë dollarë shtesë.
Me këtë hap synohet që të shtohet besimi tek firmat financiare për t'i huazuar njëra-tjetrës, proces ky që është pjesë e rëndësishme e parimeve financiare të ekonomive të zhvilluara. Në qendër të shumë spekulimeve është banka e investimeve Morgan Stanley.
Presidenti amerikan Bush ndërkohë ka anuluar planet e udhëtimit dhe do të vazhdojë të qendrojë në Uashington për të monitoruar nga afër tregjet financiate. Ai ka deklaruar se përpara kishte ende sprova të vështira.
Probleme dhe në Moskë
Ministri rus i Financave, Alexei Kudrin, thotë se bursat e Moskës nuk do të fillojnë tregtimin me kapacitet të plotë para ditës së premte.
Rregullatorët financiarë pezulluan tregtimin të mërkurën pasi vlera e aksioneve ra në nivelin më të ulët të tre vjetëve të fundit.
Zyrtarët rusë thonë se po ofrojnë miliarda dollarë për të stabilizuar sistemin financiar. Presidenti Dmitry Medvedev tha se kjo ishte detyra më e rëndësishme për qeverinë.
Ndërkohë, korrespondenti i BBC në Moskë thotë se këto zhvillime kanë ngjallur kujtimet e tmerrshme të krizës financiare të Rusisë të vitit 1998. (BBC)