E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trebicka, qeni i gjahut pa dëmtime në trup

Tiranë- Qeni i gjahut, i biznesmenit Kosta Trebicka, gjendur pa jetë të premten e shkuar në një fshat të Korçës nuk ka pasur asnjë dëmtim apo shenjë në trup. Kjo ka qenë përgjigja e ekspertizës që i është bërë qenit, i cili u gjet pak më larg vendit të ngjarjes, ndërkohë që ndodhej në të njëjtën makinë me viktimën.

“Kafsha nuk kishte asnjë frakturë në trup, as në gjymtyrë dhe as shenja të brendshme hematomash, plagë që i shkaktuan vdekjen pronarit të tij”- thuhet në konkluzionin e ekspertizës. Konkuzion, që hedh të tjera dyshime rreth gjithë asaj që ka ndodhur. Hetuesit kanë qenë të mendimit se edhe kafsha duhet të demonstronte plagë nga përmbysja e makinës, gjë që nuk ka ndodhur.

Sipas tyre, ekziston edhe mundësia e një hedhjeje të qenit, në momentet e rrokullisjes së automjetit, ndërkohë që i zoti nuk ka mundur dot të shpëtojë.

Po ashtu është mbyllur ekspertimi tekniko-balistik i armës së gjahut, i cili konfirmon se shpendët e vrarë janë qëlluar nga arma e gjahut që vetë viktima, Trebicka përdorte për gjueti. “Ky ekspertim perputhet edhe me ekspertimin tekniko-balistik te fishekeve te gjetur ne dhomen ku 50-vjecari qendroi ne ditet e fundit te jetes”- thanë burimet.

Biznesmeni Trebicka humbi jetën mesditën e së premtes së shkuar. Ngjarja mbushur me mister ka shkaktuar debat të ashpër edhe në Kuvendin e Shqipërisë dhe është përcjellë me shumë shqetësim nga partitë politike. Ato kanë akuzuar direkt qeverinë për paaftësi, si dhe kreun e saj për zhdukjen e dëshmitarit kyç të tragjedisë së Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›