Berisha: Ai që prek këtë sistem dhe kontestin i bie murit me kokë
Berisha për gjykatën: “Në rastet kur këto (vota) kanë shkuar në KQZ dhe në gjykatë, instancat eprore kanë pasur integritetin, moralin, për t’i njohur ato si të vlefshme edhe për t’i lënë edhe kur ato kanë ndikuar në rezultat. Pra ato që duan të na paraqesin para nesh praktikat e këqija, ne iu themi mbajini për vete ato. Ligji shqiptar nuk i cilëson ato në asnjë rast të pavlefshme”
TIRANË Kryeministri Sali Berisha nuk i ka hequr asnjë presje qëndrimeve të vazhdueshme, që ai ka mbajtur lidhur me rezultatin në Tiranë. Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha ka deklaruar se, Tirana u gdhi blu, duke u përpjekur të sqarojë deputetët demokratë se gjithçka e ndjekur deri më tash nga KQZ-ja, ishte ligjore. “Në këtë fushatë, pas 11 vitesh, Tirana kthehet në blu dhe kjo është një nga arritjet më të mëdha në histori...Sot koalicioni qeverisës, qeveris 7 nga 11 minibashkitë e vendit, sot zoti Lulzim Basha, i cili zhvilloi fushatën më të bukur, më të fuqishme, në një simfoni të vërtetë në qytetin e Tiranës, është i fituar me rezultatin e deritanishëm, me 78 vota para. Natyrisht që pritet finalizimi i shqyrtimit të të gjithë problematikës, por e vërteta si drita e diellit është se, në këtë fitore të ngushtë, qytetarët e Tiranës votuan Lulëzim Bashën më shumë se çdo kandidat tjetër”, - tha dje Berisha. Edhe pse pranoi se më 14 maj, Rama rezultonte plus 10 vota, Berisha shtoi se ky sistem bazohet në kontestim. “Ai që mendon se do të mund të prekë këtë sistem dhe kontestin, ai i bie murit me kokë. Këtë nuk mund ta bëjë kurrë”, - paralajmëroi ai. Kryeministri sqaroi deputetët se direktivat e standardit të OSBE-së dhe Këshillit të Europës përcaktojnë si kusht për vlerën e votës shprehjen e qëllimit të qartë të zgjedhësit, se për kë ka votuar. “Kodi i praktikave të mira të Komisionit të Venecias dhe Këshillit të Europës urdhëron që të bëhen përpjekjet maksimale për të pasur dhe për të mbledhur numrin më të madh të mundshëm të votave të vlefshme”, - citoi ai. Ky parim, tha ai, është ndryshuar në ligjin shqiptar, i cili në asnjë nga 8 pikat e nenit 117 mbi pavlefshmërinë e votës nuk përfshin votat e hedhura në kutinë tjetër. Berisha i është futur dje edhe një shpjegimi ligjor, një reagim indirekt ky edhe për rrjedhën që mund të marrë kjo çështje në Kolegjin Zgjedhor. “Së pari; KQZ-ja, si KZAZ e Tiranës, me ligjin e ri elektoral, me konsensus të plotë dhe kërkesës të Partisë Socialiste, KZAZ-ja për Tiranën është parashikuar që të njihet KQZ-ja... Së dyti, edhe njëherë theksoj se ekzistojnë të gjitha procesverbalet, të dashur deputetë, se filloi në datën 12 maj, kur zoti Basha ishte të paktën 1000 vota para, s’ka pasur të bëjë dhe nuk ka të bëjë fare me asnjë tendencë tjetër, por vetëm me numërimin e votës të çdo qytetari shqiptar... Së treti, ideja se në raste të caktuara, ato kanë qenkan lënë të pavlefshme, ai që ka bërë këtë ka qenë njeri i papërgjegjshëm dhe me praktika të këqija kurrë s’ndërtohet reforma. Mbi ç’bazë një komisioner apo dy, tre komisionerë lanë të pavlefshme një votë, e cila është e qartë si drita e diellit...”, - tha Berisha. Kryeministri ka përcjellë një mesazh edhe për instancat më të larta gjyqësore. “Në rastet kur këto (vota) kanë shkuar në KQZ dhe në gjykatë, instancat eprore kanë pasur integritetin, moralin, për t’i njohur ato si të vlefshme edhe për t’i lënë edhe kur ato kanë ndikuar në rezultat. Pra ato që duan të na paraqesin para nesh praktikat e këqija, ne iu themi mbajini për vete ato. Ligji shqiptar nuk i cilëson ato në asnjë rast të pavlefshme”, - tha ai. Berisha tha gjithashtu se koalicioni i mazhorancës fitoi bindshëm, ndërkohë në ato bashki, ku PD-ja pësoi humbje, do të ndiqet një analizë e thellë.
Berisha për kryetarin e vëzhguesve Stonestreet:
“Raporti i ODIHR-it përcakton qartë gjendjen aktuale. Ka një moment të cilin vetë, fatmirësisht, kryetari i misionit të vëzhguesve, (të cilin unë e falënderova me mirënjohjen më të thellë), sqaroi në intervistën që dha në Top Channel. Ka një frazë ku thuhet se, ‘baza ligjore për hapjen e këtyre kutive për OSBE/ODIHR-in nuk ishte e qartë’, ndonëse mua më tha se, ‘ne nuk kemi thënë që nuk ka’. Të nesërmen, kryetari i misionit të vëzhguesve në një intervistë theksoi se është marrë një vendim në princip, por ne nuk kemi parë një vendim final të afishuar në Web-in e Komisionit Qendror”.