PD: Rama nuk pranon votën dhe vullnetin e lirë të shqiptarëve
Partia Demokratike akuzon kryesocialistin Edi Rama se po del kundër vullnetit të prokurorisë. Sipas zëdhënëses së selisë blu, Albana Mustafaraj, këto ditë prokuroria botoi pas shumë muajsh aktin e hetimit dhe rinumërimit e rivlerësimit të qendrave të votimit në Shkodër, duke faktuar se rezultati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për këto qendra dhe ai që u gjet pas këtij hetimi të prokurorisë ishin të njëjtë. “Pavarësisht nga kjo, Edvin Kristaq Rama hesht e madje në amoralitet të plotë u thotë shqiptarëve që ka dyshimet e tij se prokuroria mund të ketë manipuluar. Me këtë qëndrim dëshmoi se urren qytetarët shqiptarë dhe votën e tyre të lirë, njësoj si etërit e tij shpirtërorë”, - tha Mustafaraj. Ajo shtoi se me këtë qëndrim e pafytyrësi politike ai dëshmon se s’do të pranojë kurrë votën e lirë të shqiptarëve dhe vullnetin e tyre. “Ky pasardhës i klikës hoxhiste që vendosi në krye të Partisë Socialiste një tjetër klikë, atë të neobllokmenëve, përpiqet me të gjitha mjetet e mënyrat që të shkelmojë mbi vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe të vendosë nën kontroll votën e tyre të lirë”, - shton zëdhënësja e selisë blu. Ajo thekson se pasi dështoi në mënyrat e tij të kërkimit e rinumërimit të votave e të rihapjes së kutive, deklaroi se nuk njeh as rezultatin e hetuar nga prokuroria. “Partia Demokratike duke denoncuar edhe një herë qëndrimin e bosit të SHPK e zotit 20%, garanton të gjithë shqiptarët se as ai e askush tjetër nuk do të mund të cenojë apo të shkelmojë mbi votën e vullnetin e tyre të lirë”, - përfundon Mustafaraj. Pas saj reagon anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa sipas të cilës nuk janë të sharat e shpifjet kundër opozitës që u duhen shqiptarëve, por e vërteta. “Duhet të hapen kutitë siç ka thënë edhe Parlamenti Evropian. Ne s’duam e s’kemi dashur kurrë rinumërim të fletëve të votimit, por hetim të kutive”, - pohoi Ajtyresa.