E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Zgjedhjet e reja, më 21 ose 28 qershor

Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Fatmir Xhafaj, raporton sot para Asamblesë së partisë për Kodin e ri Zgjedhor, duke bindur partinë se me këtë kod do të fitojnë dhe pa ish-aleaten, LSI-në. Kodi shihet si fitore politike e PS-së dhe jo si dobësi e saj, për shkak të bashkëpunimit me mazhorancën. Ndërkohë, pranohet hapur se ishte PS-ja ajo që kërkoi ndryshimin e administrimit të zgjedhjeve dhe numërimit të votave, dy pika të kontestuara nga partitë që u futën në grevë urie

Aurora Thomollari

Më 21 qershor ose 28 qershor pritet të zhvillohen zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky është udhëzimi i Partisë Socialiste, i përcaktuar qartë në një raportim të drejtuesve të kësaj partie në mbledhjen e sotme të Asamblesë Kombëtare në Elbasan. Pavarësisht përcaktimeve në Kodin e ri Zgjedhor, për herë të parë zbardhen data të sakta të zhvillimit të zgjedhjeve dhe për të këtë PS-ja ka marrë masa paraprake për të përgatitur anëtarët e saj. Po kështu, PS-ja u bën me dije anëtarëve të AK-së në dispozitat e Kodit Zgjedhor parashikohet që data e zgjedhjeve do të përcaktohet 9 muaj përpara fundit të mandatit të Kuvendit, dhe në rastin konkret jo më vonë se fillimi i janarit. Në një raport mjaft të gjatë, sekretari për çështjet ligjore në selinë rozë, Fatmir Xhafaj, bën një sqarim mbi të rejat dhe elementet më të rëndësishme të Kodit Zgjedhor si dhe raporton mbi gjithë procesin e hartimit e miratimit të Kodit Zgjedhor ku pranohet se PS-ja ka një rol të rëndësishëm në hartimin e tij. Raporti pranon objektivat kryesore të PS-së në hartimin e ligjit të ri, mes të cilave përmendet përmirësimi konceptual e cilësor i administrimit të zgjedhjeve dhe të institucioneve zgjedhore, duke garantuar akses për PS-në në të gjitha nivelet si dhe përmirësimin thelbësor të sistemit të numërimit të votës duke garantuar akses, transparencë e siguri në numërimin e drejtë të votës. Në këtë pikë pranohet haptazi se është Partia Socialiste ajo që ka synuar reformim në administrimin e zgjedhjeve, pikërisht ato pika që LSI-ja e disa parti të tjera i kanë kontestuar ashpër deri edhe më një grevë urie. Raporti vijon duke theksuar se “konstatojmë se elemente kryesore të shprehura në këtë dokument pune (të PS-së) kanë gjetur pothuajse tërësisht pasqyrim në Kodin e ri Zgjedhor tashmë të miratuar nga Kuvendi”. Në këtë mënyrë, del se edhe mazhoranca është treguar e hapur ndaj propozimeve të ardhura nga PS-ja. Kjo pranohet haptazi kur thuhet se “megjithatë, mund ta pohojmë me bindje politike e ligjore që PS-ja ka siguruar shumë garanci ligjore dhe të drejta procedurale që asnjë opozitë nuk i ka pasur më parë në asnjë nga ligjet zgjedhore që janë aplikuar në Shqipëri”. Në raport gjen vend një përgjigje, por edhe një sqarim mbi bashkëpunimin PD-PS për këtë reformë. Në të thuhet se bashkëpunimi politik i arritur në formulimin e këtij Kodi Zgjedhor nuk është aspak “dobësi ndaj mazhorancës aktuale”.

“I kërkuam negociata LSI-së”

Mungesa e dialogut dhe mosmarrëveshjet me ish-aleaten kryesore të PS-së, LSI-ja e Ilir Metës, zënë vend në dy paragrafë në raportin e sekretariatit për çështjet ligjore. Në të thuhet se PS-ja ka kërkuar vazhdimisht dialog, por LSI-ja ka reaguar me presion e qëndrime joparimore. “Në funksion të këtij qëllimi kemi kërkuar në mënyrë të vazhdueshme funksionimin e negociatave politike e teknike ndërmjet palëve, proces i cili ka funksionuar normalisht me dy partitë aleate, PSD dhe PDS, ndërsa ka pasur si reagim presionin dhe kushtëzimin joparimor nga ana e lidershipit të LSI-së”, - citohet raporti. Ndërkohë që në të vërtetë, PS-ja ka refuzuar disa herë kërkesat për takime me zyrtarë të LSI-së. Mjafton të kujtojmë këtu takimin e dështuar në muajin korrik mes Fatmir Xhafajt, Valentina Leskajt me Spartak Brahon e Pëllumb Xhufin nga LSI-ja. Përfaqësuesit e PS-së nuk u paraqitën në takim. Që nga ajo kohë, LSI-ja vazhdoi të akuzonte PS-në për mungesë transparence me partitë e majta për hartimin e Kodit Zgjedhor.

Objektivat e PS-së për zbatimin e Kodit

Vlerësimin dhe përcaktimin e taktikave elektorale në respektim të kërkesave të këtij kodi lidhur me aleancat e mundshme paraelektorale, sistemin e patronazhit elektoral dhe atë të ruajtjes së votave etj.

Përgatitjen më mirë të strukturave politike dhe elektorale të PS-së në të gjitha nivelet lidhur me avantazhet, por edhe me ndonjë disavantazh që ofron sistemi i ri elektoral, nevojën për një qasje e veprim të ri politik dhe elektoral prej tyre në këtë proces.

Përgatitjen e manualeve udhëzuese përkatëse për njohjen e detyrimeve që burojnë nga ky kod nga ana e strukturave tona elektorale sipas niveleve përkatëse.

Trajnimin dhe organizimin e ekipeve tona elektorale në të gjitha nivelet në funksion te përfaqësimit në strukturat elektorale të administrimit dhe numërimit etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›