E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama zgjidhet kryetar i Komisionit për EJ në Internacionalen Socialiste

Kryetari i PS-së, Edi Rama, në mbledhjen e fundit të Këshillit të Internacionales Socialiste, është zgjedhur kryetari i Komisionit për Evropën Juglindore të Internacionales Socialiste dhe z. Rama e ka pranuar këtë detyrë. Sekretarja e marrëdhënieve ndërkombëtare në PS-së, Arta Dade, deklaroi dje se "kjo detyrë i është ngarkuar z. Rama pas një përvoje tejet pozitive në drejtim të Partisë Socialiste duke sjellë risi në të majtën evropiane, siç është rasti i aplikimit me sukses të parimit “një anëtar, një votë”. Dihet që z. Rama është zgjedhur përmes këtij parimi, duke e hapur partinë drejt shoqërisë civile, duke ofruar mjaft të rinj dhe duke përcaktuar kuota, dhe jo vetëm për përfaqësimin e grave, por edhe për përfaqësimin e të rinjve”. Njëkohësisht, Dade vuri në dukje se Rama është vlerësuar për “një vizion bashkëkohor dhe modern në politikën shqiptare, ka ofruar modele larg konfliktualitetit, i cili ka qenë i pranishëm për një periudhë të gjatë dhe ka dëmtuar interesat madhore të vendit”. Sipas saj, ai ka aplikuar politikën e konsensusit për reformat madhore, të cilat i kalojnë kufijtë partiakë, por gjithashtu duke punuar dhe duke sjellë risi edhe në hartimin e platformave politike apo elektorale, siç është rasti i “Dialogut me Shqipërinë”, i cili ka filluar duke marrë opinionet nga ata që ndiejnë efektet e çdo qeverisjeje dhe jo nga zyrat në qendër apo në zyrat e ekspertëve.

Kryetari i PS-së, Edi Rama, komentoi dje për herë të parë, ndërsa pritet miratimi, projektbuxhetin e qeverisë për vitin 2009, edhe pse ka dy javë që është paraqitur në komisione. Sipas kryetarit socialist, ky buxhet mishëron tërësisht atë që PS-ja e ka paralajmëruar dhe faktuar pjesë-pjesë prej 40 muajsh. Ndër të tjera, Rama theksoi se buxheti për 2009-ën fakton dështimin e programit të votuar nga shqiptarët e shqiptaret në vitin 2005 dhe rrëshqitjen e Shqipërisë në një rrugë me më shumë varfëri, papunësi, korrupsion, injorancë, përjashtim social.

Rama iu referua kryesisht shtrenjtimit galopant të jetesës dhe rënies së fuqisë blerëse të familjeve shqiptare, për të cilat kapardisjet mediatike të Sali Berishës kur flet për rritjen e rrogave e pensioneve, tingëllojnë me të drejtë shumë tallëse.

“Faktet që lidhen me buxhetin familjar të shqiptarëve e shqiptareve, jo opinionet tona si opozitë, mjaftojnë për të dhënë përmasën reale të dështimit të Sali Berishës dhe për të treguar se sa i pamatshëm është hendeku mes premtimeve të tij kur erdhi në pushtet dhe realitetit që po lë në çdo shtëpi shqiptare pas ikjes nga pushteti”, - shtoi kreu i PS-së. Ndër të tjera, Rama e konsideroi buxhetin e 2009-ës të fundit i Sali Berishës, i cili nuk i garanton, për familjen shqiptare ku të dy prindërit punojnë, 750 mijë lekë të vjetra të nevojshme për jetesën e përditshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›