E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS abuzon më monopolin opozitar



Aktualisht kemi në Shqipëri një situatë të ngrirë politike dhe aspak dinamike kundrejt procesit të integrimit evropian. Nga njëra anë kemi mazhorancën dhe nga ana tjetër kemi PS dhe një sërë partish të vogla pa profil të qartë politik dhe që shumicën e tyre është e vështirë ta rendisësh si të djathtë, të qendrës apo të majtë. Partia Socialiste po hyn në muajin e gjashtë të bojkotit të saj parlamentar dhe për të mos u gjendur e vetme jashtë Parlamentit ka mbledhur rreth vetes partitë e lartpërmendura pa profil dhe së bashku kontestojnë zgjedhjet e 28 qershorit. Në një situatë të tillë dua të ndalem në dy pika:

1. Si mund t’ia lejojë vetes një risk të tillë politik PS-ja? Dhe 2. Çfarë roli luajnë partitë e vogla rreth saj.

Për sa i përket pikës së parë përveç interesave të ulëta personale tipike të zhvillimeve politike në Shqipëri, PS po keqpërdoron monopolin e saj opozitar. Kjo do të thotë që në një sistem partiak si ky i Shqipërisë kemi dy parti politike, PD dhe PS, që dominojnë arenën politike, vendimet politike, zgjedhjet dhe mediat, një situatë e tillë është e pritshme. Sikur Shqipëria të kishte një opozitë më të fragmentuar dhe jo vetëm PS-në, atëherë kjo e fundit nuk do të arrinte të monopolizonte dhe të radikalizonte qëndrimin e gjithë opozitës. Pra, si rrjedhojë, PS përfiton nga kostelacioni dhe sistemi partiak i favorshëm dhe e keqpërdor votën e popullit duke e zhvleftësuar atë me anë të bojkotit parlamentar. Në këtë moment lind pyetja: Si mund të veprojë populli që të parandalojë një situatë të tillë? Populli e hodhi votën në mënyrë shumë demokratike dhe të pjekur duke mos i dhënë asnjërës forcë politike shumicën absolute për të qeverisur e vetme, por duke imponuar bashkëpunimin politik. Por, kur opozita braktis përgjegjësinë e saj, kemi të bëjmë me një politikë të papërgjegjshme dhe tepër riskante për të ardhmen e partisë opozitarë.

Pika e dytë është roli i partive të vogla që mbështesin bojkotin e PS-së. Së pari, duhet saktësuar se të gjitha këto parti mbetën jashtë Parlamentit pas zgjedhjeve parlamentare, pasi nuk arritën dhe as nuk iu afruan pragut elektoral. Së dyti, kur këto parti pjesërisht që nga krijimi i tyre dhe pjesërisht prej vitesh me shumë sforcime arrijnë të mbijetojnë duke përfituar herë nga partitë e mëdha dhe herë nga ligjet zgjedhore vihet në dyshim nevoja e ekzistencës se tyre. Nga ana tjetër, këto parti mund t’i lejojnë vetes çdo lloj lëvizjeje politike, pasi nuk kanë asgjë për të humbur pavarësisht pretendimeve joserioze se janë në mbrojtje të demokracisë. Demokracia është e mbrojtur dhe e monitoruar nga shumë mekanizma bashkëkohorë dhe nuk ka nevojë për fantoma të tilla. Këto parti janë parazitët e demokracisë që jo vetëm u kushtojnë miliona lekë taksapaguesve shqiptar, por i kushtojnë dhe prishje imazhi dhe destabilizim.

Partitë lindin si nevojë e përfaqësimit të grupeve të ndryshme shoqërore, por në momentin kur partitë nuk arrijnë të konkretizojnë përfaqësimin në format që ofron demokracia, atëherë këto janë nisma të pamjaftueshme individësh apo grupe individësh pa profil të qartë politik dhe si të tilla ndoshta është më e arsyeshme të japin kontributin e tyre në shoqërinë civilë në Shqipëri. Nga këto pseudo-parti nuk ka asnjë të humbur në qëndrimin e tyre bashkë më PS për të provokuar zgjedhje të parakohshme, pasi ato shohin një shans tjetër, ndoshta për të rrëshqitur aksidentalisht dhe në formën më minimale në Parlament.

Pra, në përfundim, në këtë situatë të ngrirë politike kemi të bëjmë me një keqpërdorim të monopolit opozitar dhe një grup partish parazitare. Të dy këta faktorë po kërkojnë jo vetëm me kredibilitetin e tyre politik, por edhe me shanset e historike të Shqipërisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›