Hidrocentrali i Skavicës, brenda këtij muaji tenderi
Brenda këtij muaji pritet të zhvillohet tenderi për hidrocentralin e Skavicës. Një hidrocentral ky shumë i madh, investimi i së cilit parashikon të prodhojë rreth 1.8 miliard kilovatë energji elektrike. Burime nga MEE bëjnë me dije së deri tani në garë janë paraqitur 6 kompani të huaja, TGK Skavica srl, një kompani italiane që ka përgatitur edhe projektin, Korea Electric Power Corporation, STATKRAFT nga Norvegjia, konsorciumi VERBUND KELAG GRUP nga Austria dhe R.W.E AG nga Gjermania. Me sasinë e energjisë që pritet të prodhohet pas ndërtimit të këtij hidrocentrali, pritet që vendit t’i shtohet rreth 15 për qind energji e prodhuar në vend. Ekspertët thonë se Skavica është më i rëndësishmi nga të gjitha kontratat e nënshkruara deri tani nga qeveria shqiptare, për shkak të sasisë së energjisë që pritet të prodhohet, si dhe për shkak të rentabilitetit shumë të lartë që pritet të ketë.
Ndërkaq, në një studim të kryer nga pro. Dr. Pandi Stratobërda, Niko Pano dhe Alfred Frashëri del në pah interesi që ka ndërtimi i këtij hidrocentrali dhe në aspektin ekologjik. Sipas studimit të tyre duke u nisur nga fakti se kaskada hidroenergjitike aktuale e lumit Drin e përbërë nga liqeni artificial i Fierzës, i Komanit dhe i Vaut të Dejës, ka hyrë prej kohe në funksionim, e vetmja alternativë, që ka mbetur për t’u zgjedhur është shfrytëzimi i mundësive që ofrojnë degët e Drinit. Profesorët vërejnë se Drini i Zi, degë kryesore e lumit Drin, me sipërfaqe të pellgut ujëmbledhës 5885km2, formon një plotë maksimale, me p=1% siguri, me prurje 1850m3/s dhe volum 400106m3 ujë. Si rrjedhojë, nëpërmjet shfrytëzimit racional të kapaciteteve hidroenergjitike të Drinit të Zi në Skavicë, mund të arrihet në rregullimin sa më të mirë të plotave maksimale të këtij lumi, duke reduktuar sa më mirë që të jetë e mundur impaktin e rrjedhjes së ujërave maksimale të lumit Drin, në liqenin e Shkodrës. Ky veprim përputhet plotësisht me idenë e rëndësishme, që plotat maksimale duhet të rregullohen atje ku ato edhe formohen, në pjesën e sipërme të rrjedhjes, dhe jo atje ku ato derdhen, në zonën bregdetare, ku edhe shkaktojnë përmbytje. Kjo ide e rëndësishme që fatkeqësisht nuk është realizuar deri tani, ashtu siç duhet, në shfrytëzimin e lumenjve të tjerë të rëndësishëm të vendit tonë (Vjosa, Devolli etj.) duhet të aplikohet në Drinin e Zi, si e vetmja alternativë e mundshme dhe efikase për rregullimin e Liqenit të Shkodrës. Duhet theksuar fakti i rëndësishëm se një shfrytëzim i kësaj natyre i resurseve hidroenergjitike të Drinit të Zi bën të mundur që impakti në rregullimin e Liqenit të Shkodrës të ketë vlera jo më të vogla sa dhe vetë përfitimi i energjisë elektrike nga ndërtimi i hidrocentraleve në këtë lumë.
Si rrjedhojë binomi ekologji-energji është kriteri bazë për vlerësimin e efikasitetit të skemave hidroenergjitike të Drinit të Zi.