E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit: Një monument kundër diktaturës



Protagonistët e 20 shkurtit 1991, të dekoruar nga Presidenti i Shqipërisë, kanë kërkuar ngritjen e monumentit në nderim të viktimave të diktaturës komuniste dhe shpalljen e 20 shkurtit 1991 si “Dita e rrëzimit të simboleve komuniste dhe e nderimit të viktimave të regjimit komunist”. Këtë kërkesë drejtuar instancave më të larta shtetërore, Presidentit, Kuvendit të Shqipërisë, Këshillit të Ministrave, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, si dhe Avokatit të Popullit e ka mbështetur edhe Qendra Shqiptare e Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës përmes një letre dërguar dje, institucioneve të mësipërme, të firmosur nga drejtori ekzekutiv, Adrian Kati.

Protagonistët e 20 shkurtit ’91, bashkë me Shoqatën Mbarëkombëtare e Integrimit të të Burgosurve Politikë të Shqipërisë kanë përpiluar motivacionin e kërkesës së tyre duke u shprehur se: “Prej afro gjysmë shekulli në vendin tonë sundoi diktatura më e egër në Evropë. Me mijëra martirë të Demokracisë ranë viktima të regjimit komunist, sepse ideali i tyre ishte Shqipëria Demokratike. Me qindra vetë të pafajshëm u burgosën, u internuan, u dëbuan dhe u persekutuan nëpërmjet luftës së klasave”.

Para se të zyrtarizohet institucionalisht, të gjithë përfaqësuesit e mësipërm të pjesës që vuajtën dhe u persekutuan në diktaturë kanë mbështetur kërkesën e bërë prej kohësh të ish-të përndjekurve politikë duke iu bashkëngjitur edhe vullnetin demokratik të shqiptarëve për të ngritur në Tiranë një Monument në Nderim të Viktimave të Regjimit Komunist. Në letrën që iu është drejtuar qeveritarëve dhe ambasadorëve, thuhet se kjo kërkesë është premtuar prej shumë vitesh, por deri tani asgjë nuk është bërë! Për ironi të këtij fati politik të ngritjes së simbolit kundër diktaturës, shtresa e ish-të përndjekurve politikë të Shqipërisë bën të ditur se është gati të kontribuojë financiarisht në ndërtimin e këtij monumenti, nëse Ministria e Kulturës nuk “guxon” të bëjë hapin e duhur në këtë drejtim, duke e lidhur ngushtësisht këtë periudhë të errët të historisë sonë si domosdoshmëri për të pasur një simbol që dëshmon fitoren dhe lirinë.

Më 20 shkurt 1991, afro 100 mijë ish-protestues të Tiranës dhe me dhjetëra e mijëra ish-protestues të qyteteve të Korçës, Gjirokastrës etj., rrëzuan monumentin e diktatorit dhe simbolet komuniste. Ky çast historik qoftë për shqiptarët dhe për vendet perëndimore, pra rrëzimi i monumentit të diktatorit në mes të Tiranës, ka simbolizuar shembjen e diktaturës komuniste dhe fitoren e demokracisë në vendin tonë.

Ish-të përndjekurit politikë, të bashkuar në kërkesën për ngritjen e monumentin, e konsiderojnë si një gabim të rëndë dhe të pafalshëm që politika shqiptare prej 19 vitesh e ka lënë në heshtje këtë ditë.

Duke menduar se gjithë shqiptarët janë shkëputur nga komunizmi një herë e mirë dhe për ta shndërruar këtë në një kujtesë historike, përmes kërkesës ka shtuar numrin e firmëtarëve duke iu bashkangjitur ish-protestuesve të 20 shkurtit 1991, të cilët solemnisht duan t’iu plotësohet kërkesa: Bazuar në dispozitat ligjore Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave si dhe Rezolutave të Këshillit të Evropës të vitit 1996 dhe 2006, të shpallet 20 shkurti 1991, “Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste dhe e Nderimit të Viktimave të Regjimit Komunist”. Dhe kjo ditë të jetë festë kombëtare më e madhja e demokracisë në vendin tonë. Dhe në mbyllje të letrës, duke mbetur në besimin se Kuvendi i Shqipërisë dhe Këshilli i Ministrave do t’u plotësojnë këto dy kërkesa të shtresës së ish-të përndjekurve politikë ata shpallin se 20 shkurti është dita e çlirimit të shqiptarëve nga diktatura komuniste.

V. Murati

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›