PS, apel zgjedhësve: Kujdes me fletët e votimit
TIRANË- Në të parën dalje zyrtyare të sajën për këtë ditë, Partia Socialiste ka paralajmëruar qytetarët për kujdes me fletët e votimit dhe të mos bien pre e manipulimeve të ndryshme që mund të bëhen.
Gjatë një komunikimi me mediat nga selia rozë, deputetja Mimi Kodheli ka theksuar se procesi ka nisur me një sërë shkeljesh, që nga vonesat, deri te problemi serioz sipas saj me cilësinë e bojës.
Qytetarët duhet të bëjnë kujdes sot dhe të kontrollojnë me kujdes fletët e votimit. Duhet që fletët të kenë dy vula në anën e pasme. Duhet që fletët të mos kenë shenja të tjera si grisje apo me shënime me stilolaps, tha Kodheli.
Ajo ka denoncuar disa shqetësime në lidhje me cilësinë e bojës, për të cilën tha se është e tillë sa mund të fshihet edhe me ujë.
Ky është një problem që PS-ja ka ngritur prej ditësh dhe i shtohet atyre me kartat dhe listat e zgjedhësve. Do të garantojmë qytetarët se kemi marrë të gjitha masat për të parandaluar abuzimet e ndryshme. Paralajmërojmë të gjithë individët që mund të abuzojnë me këtë fakt dhe duan të votojnë disa herë se çdo tentativë do të ndëshkohet në çdo rast, tha Kodheli.