Rama: Partitë politike janë në krizë
Fondacioni “Qemal Stafa” mbush 1 vjeç. Zhvillohet konferenca për transparencën dhe rolin e partive
Një vjetori i Fondacionit “Qemal Stafa” ka mbledhur në Tiranë të gjithë fondocionet si motra të një sërë partish socialiste nga shtete të ndryshme evropiane. Përfaqësuesit e mbi 12 fondacioneve nga vendet anetare të Bashkimit Evropian kanë marrë pjesë dje në këtë konferencë ndërkombëtare për të diskutuar mbi transparencën dhe rolin e partive politike. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe kryetari i socialistëve shqiptar, Edi Rama, zëvendëspresidenti i Partisë Socialiste Evropiane në Parlamentin Evropian, Kristian Vigenin, si dhe eurodeputeti Rob Van Der Ëater. Gjatë fjalës së vet përshëndetëse kryetari i PSSH-së Edi Rama është përqëndruar pikërisht tek tema e kësaj konference dhe pikërisht tek roli i partive politike, duke u shprehur se edhe politika shqiptare gjendet sot në një krizë vetëizolimi nga shoqëria. “Në Shqipëri mund të shihet dhe të ndihet fare qartë kriza e një sistemi partiak të mbyllur dhe kriza e izolimit të partive nga shoqëria dhe nga njerëzit, e cila kërkon një imagjinatë të re për formën që partitë duhet të marrin në kushtet e një shoqërie që është skeptike në tërësi ndaj partive”, - tha Rama në fjalën e vet, duke u shprehur i sigurt nga ana tjetër se Fondacioni “Qemal Stafa” po luan një rol shumë të madh në zbutjen e kësaj krize. Ndërkohë Drejtori Ekzekutiv i Fondacionit “Qemal Stafa”, Saimir Tahiri, ka vlerësuar si të prekshëm nga të gjithë rolin që ka luajtur ky fondacion në mbështetjen që i jep PS-së në hartimin e politikave dhe qëndrimeve të ndryshme për një sërë çështjesh të rëndësishme. “Një vit më parë, së bashku me të gjithë kolegët, ne nisëm një rrugë plot të panjohura por edhe po kaq interesante. Duke kthyer sytë pas, mund të pohojmë me plot gojën se ky ishte një vit me sfida të rëndësishme, por edhe me suksese po kaq të rëndësishme”, - tha Tahiri.