PS dezinformon shifrat e buxhetit dhe investimeve reale në fushën e rinisë
Drejtoresha e Përgjithshme e Rinisë dhe Sportit, Migena Reçi
Drejtoresha e Përgjithshme e Rinisë dhe Sportit në MTKRS, Migena Reçi deklaroi dje, për mediat se PS dezinformon dhe manipulon shifrat për sa i përket buxhetit dhe investimeve reale në fushën e rinisë. “Për sa i përket MTKRS, fondi i të rinjve në shumën 18 milion lekë të reja në vit, ka sjellë pjesëmarrjen e të rinjve në projekte që janë zbatuar nga Teatri Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve, TOB, Teatri i Komedisë, Cirku dhe institucioneve të tjera. Gjithashtu një e treta e buxhetit projekteve artistike shkon për nismat rinore në shumën 30 milion lekë të reja”, tha Reçi. Sipas saj, nga granti i sportit të rinjtë nëpërmjet federatave dhe organizatave sportive janë mbështetur me fonde në shumën 99. milion lekë të reja. “Buxheti për Arsimin e mesëm, për Arsimin e Larte , Kërkim Shkencor dhe Ekselenca në total, është 18.5 miliard lekë. Shërbimi kombëtar i punësimit akordon çdo vit 60 milion lekë në programet e nxitjes së punësimin të të rinjve”, tha Migena Reçi. Ajo deklaroi se Ministria e Punës, vetëm nëpërmjet projekteve IPA mbështet punësimin e të rinjve në shumën prej 350 mijë euro.