“Programi i Edi Ramës, barsoleta dhe estradë shëtitëse”

Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu
Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu ka ironizuar prezantimin e programit të kryesocialistit Edi Rama në Dibër.
Në faqen e saj zyrtare në Facebook, Bregu e krahason Ramën me një estradë shëtitëse që tregon barsoleta. “Në përpjekje për të kuptuar programin e ‘rilindjes’ të prezantuar nga Rama ne Peshkopi, dëgjova se: ‘Qeveritarëve iu del rakia pas 3 ditësh se e pinë me sheqer!’, ‘Rinia në Shqipëri fiton vetëm kur loz e fiton Real i Madridit!’, ‘Kur martohesh, duhet ta marrësh vjehrrin hopa për 2 orë e të shkosh të gjesh mjek për t’i matur tensioni, se në Dibër s’ka mjek’, etj, etj, ‘ide të studiuara programore’ si këto, me të cilat Rama kërkonte votën e Dibranëve për 23 Qershor! Mësova dhe se 200 demokratë dibranë po bashkohen me ‘rilindjen’, pikërisht sepse dëgjuan këto ‘ide të studiuara programore’ nga Rama. Sikur të kishte gjetur një shifër tjetër, s’do ishte keq, por do i jenë kujtuar ‘200 petritët’ e themelimit të Partisë Komuniste, që Rama po kërkon të rilindë! Bravo Edi Rama! U ktheve në identitet! Tregon barcaleta lart e poshtë më mirë se një trupë shëtitëse estrade! Për program, s’të merr njeri seriozisht!”, shkruan ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu.