“Politikës shqiptare i mungon bashkëpunimi, të votohen 3 ligjet e statusit”

Takim me qindra gra dhe vajza nga Rrethi i Matit, Ilir Meta prezanton kandidatin Përparim Spahiu për Qarkun e Dibrës
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, Klajda Gjosha, ka marrë pjesë dje në një takim mjaft entuziast të zhvilluar me qindra gra dhe vajza të Lëvizjes së Gruas për Integrim nga Rrethi i Matit. Në fjalën e tij përshëndetëse Ilir Meta duke i falënderoi të gjithë për punën e deritanishme dhe për angazhimin dhe përkushtimin e tyre deklaroi se LSI do të ketë përfaqësimin e duhur në Parlamentin e ardhshëm nga Qarku i Dibrës. Sipas tij fryma e solidaritetit dhe e bashkëpunimit që është në Mat është një frymë që e karakterizon LSI-në në të gjithë Shqipërinë. “Këtu roli i Matit është i jashtëzakonshëm dhe unë kam besim të plotë sepse ju e keni treguar veten edhe në vitin 2009 në kushte shumë më të vështira. Tani është radha e Dibrës dhe e Bulqizës ta tregojnë veten në kushte më të mira. Një falënderim i veçantë i shkon Agim Hysës sepse ai nuk është thjesht një individ, nuk është thjesht një kryetar por Agim Hysa është një fenomen. Përfaqëson një fenomen të mrekullueshëm, në thelb socialist i përjetshëm, sepse është një njeri tepër bashkëpunues, tepër solidar, një njeri që gjithçka e bazon tek fryma e bashkëpunimit me shokët, me kolegët, me bashkëpunëtorët Një njeri i cili vë në plan në parë punën e të gjithëve dhe që punon për këtë frymë bashkëpunimi. Një njeri që mbështet me bindje të plotë edhe LGI-në e Matit dhe është kjo frymë që na duhet kudo në të gjithë Shqipërinë për të pasur struktura të qëndrueshme të cila punojnë vazhdimisht për të dëgjuar dhe respektuar mendimin e anëtarëve dhe anëtareve të thjeshta sepse shqetësimit e tyre janë dhe duhet të jenë gjithmonë angazhimi ynë kryesor për t’i dhënë përgjigje dhe për t’i zgjidhur. Ndaj ne si LSI mbështetemi fort tek fryma e bashkëpunimit dhe solidaritetit dhe kjo do të jetë ajo që do të na ndihmojë më shumë për të realizuar një sukses të jashtëzakonshëm më 23 qershor”, tha kreu i LSI-së. Meta solli në vëmendje se ajo që i mungon sot politikës shqiptare, është pikërisht fryma e bashkëpunimit edhe brenda forumeve apo brenda strukturave dhe një raport funksional midis drejtuesve dhe anëtarëve.
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se këto vite LSI u konfirmua si forcë e stabilitetit, si forcë e bashkëpunimit, si forcë e integrimit evropian të vendit.
“Ne jemi krenarë për mbajtjen e premtimit për liberalizimin e vizave, gjë që u arrit në një kohë rekord nga e cila përfituan të gjithë shqiptarët. Ne jemi të keq ardhur për stanjacionin që po përjeton procesi i integrimit evropian të vendit, vetëm për shkak të mungesës së bashkëpunimit politik dhe miratimit të tre ligjeve që kërkohen me kohë nga Bashkimi Evropian, por edhe nga shqiptarët. Ne nuk kemi në dorë të ndryshojmë dot të tjerët, por ne kemi plotësisht në dorë që të vazhdojmë të sillemi me përgjegjshmëri të plotë, të kontribuojmë në mënyrë konstruktive në jetën politike të vendit, të theksojmë gjithnjë e më shumë rëndësinë e bashkëpunimit sepse edhe në një familje po nuk bashkëpunuan pjesëtarët e saj nuk mund të eci përpara. Natyrisht Kështu ndodh edhe ne një komunitet, kështu ndodh edhe me një vend. Ndaj edhe vota e 23 qershorit mendoj se do të jetë një vlerësim i merituar për të gjithë kontributet pozitive që ka sjellë Lëvizja Socialiste për Integrim në jetën politike të vendit, do të jetë një kontribut i merituar, një vlerësim i merituar, për angazhimin e LSI-së së Matit, për angazhimin e LGI-së së Matit, për të gjithë ato përpjekje që ju keni bërë për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të ndihmuar komunitetin, dhe ky shpirt solidariteti premton shumë më tepër për katër vitet që vijnë. Ndaj unë jam i bindur që edhe më shumë do të shtohen radhët tuaja dhe të LSI-së dhe vlerësimi do të jetë i jashtëzakonshëm”, tha Lideri i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u shpreh se LSI është krenare për barazinë gjinore që ka vendosur brenda strukturave të saj. Ilir Meta u shpreh se duhet bërë më shumë për fuqizimin ekonomik dhe shoqëror të gruas në Mat dhe në të gjithë vendin sepse kjo në fakt e përmirëson pozitën e tyre sociale në familje dhe në shoqëri.
Duke përfunduar Ilir Meta shprehu dhe një herë mbështetjen për drejtuesin e listës së kandidatëve të LSI-së për Qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, duke u shprehur i bindur se rezultati në 23 qershor do të jetë i paparë edhe në Mat por edhe në të gjithë Shqipërinë.