E Diel, 1 Nëntor 2026

Deklarata/Berisha po tregon lidership, si mik i SHBA

17-03-2013 / Gazeta 55

Zëvendës-Ndihmës Sekretarja në Departamentin e Shtetit të SHBA, në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, Barbara Leaf, deklaroi dje në Tiranë se Kryeministri Sali Berisha, me lidershipin e tij, po dëshmon edhe njëherë se është mik i vërtetë i SHBA-ve. Po dje, kryeministri mori edhe falënderimet e të dërguarit të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon
Vendimi/Shqipëria do të ofrojë strehim për qëllime humanitare, për 210 persona të grupit Mojahedin -e-Khalq (MEK), të cilët ndodhen në Kampin “Liria”, në Irak

Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me Zëvendës Ndihmës Sekretaren në Departamentin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Zyrën e Çështjeve të Lindjes së Afërt, Barbara Leaf së bashku me Përfaqësuesin e Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Irakun, Ambasadorin Martin Kobler, të cilët shoqëroheshin nga përfaqësues të Komisionerit të Lartë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), Zëvendësambasadori amerikan në Tiranë, Henry V. Jardine, si edhe diplomatë të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.
Pasi u uroi përzemërsisht mirëseardhjen, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë e veçantë të presë në Tiranë Zëvendës Sekretaren Leaf dhe ambasadorin Kobler, duke e konsideruar këtë vizitë të rëndësishme si një kontribut dhe një shprehje tjetër e bashkëpunimit të ngushtë e të shkëlqyer me SHBA-të, me OKB dhe agjencitë e rëndësishme të saj.
Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit, Leaf, e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore dhe i përcolli atij përshëndetjet më të përzemërta të miqve të përbashkët nga Uashingtoni.
Pasi u ripohuan marrëdhëniet e bashkëpunimi i shkëlqyer midis SHBA-ve e Shqipërisë, biseda u ndal në kërkesën për zhvendosjen e disa individëve të grupit (Mojahedin-e-Khalq) MEK, të cilët ndodhen në Kampin e “Liria”, në Irak dhe strehimin e tyre për arsye humanitare në Shqipëri. UNHCR u ka dhënë disa rezidentëve të Kampit “Liria” statusin e refugjatit dhe po bashkëpunon me qeverinë shqiptare për tu gjetur atyre zgjidhje të sigurt, të garantuar e humane.
Kryeministri Berisha i theksoi Zëvendës Ndihmëssekretares së Shtetit Leaf se sikundër iu premtua Sekretares së Shtetit Clinton, gjatë vizitës së saj historike në Tiranë dhe qeverisë së SHBA, qeveria shqiptare është e gatshme dhe po merr masa për tu ofruar strehim për arsye humanitare për një numër të kufizuar prej 210 personash, të cilët janë të mirëpritur dhe do t’u krijohen të gjitha kushtet për një strehim të sigurt në Shqipëri, në përputhje të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e vendit. Zëvendës Ndihmës Sekretarja e Shtetit e Shteteve të Bashkuara e falënderoi përzemërsisht Kryeministrin Berisha duke vlerësuar lidershipin që ai po dëshmon edhe për këtë çështje, si një mik i vërtetë i SHBA-ve. 
Nga ana e tij, Ambasadori Martin Kobler i shprehu Kryeministrit Berisha mirënjohjen më të thellë të tij dhe të Sekretarit të Përgjithshëm e organizatës së OKB-së si për bujarinë që qeveria shqiptare po dëshmon në këtë rast edhe për faktin që Shqipëria po u tregon vendeve të tjera një shembull të shkëlqyer të bashkëpunimit të ngushtë e të suksesshëm ndërkombëtar, në emër të vlerave të jetës e të humanizmit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›