E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama, letër Berishës: “Hiq taksën e votës, po rrezikon zgjedhjet”

Kreu i PS-së kërkon nga kryeministri që t’i shpërndajë falas për të gjithë kartat e identitetit. Reagimi i PD-së: Rama e merr përgjigjen e letrës më 28 qershor

Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka dërguar dje një letër kryeministrit Berisha, në të cilën ai kërkon nga qeveria dhe kryeministri që të heqin “taksën e votës”. Rama thekson në letër se çmimi i vendosur për pajisjen me karta identiteti është i papërballueshëm për shumicën e shqiptarëve. Kreu i PS-së thekson se situata e përgatitjeve të zgjedhjeve është alarmante dhe se e vetmja zgjidhje që shpëton zgjedhjet e lira dhe të ndershme nga dështimi është shpërndarja falas e kartave të identitetit.

Letra

Rama e cilëson arbitrare dhe shkelëse të parimeve të shenjta të lirisë taksën e votës të vendosur nga qeveria. Kreu i PS-së kërkon nga kryeministri që të garantojë të drejtën e votës për çdo shqiptar, duke ua siguruar falas kartat e identitetit. “Taksa e votës që qeveria juaj ka vendosur është jo vetëm arbitrare, por shkon kundër parimeve të shenjta të lirisë dhe cenon të drejtën themelore të njerëzve për të zgjedhur. Të vendosësh një taksë për votën do të thotë të njollosësh vendin tonë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Asnjë qeveri e vendeve anëtare të Bashkimit Europian nuk i detyron shtetasit e saj të paguajnë për të pasur mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. Asnjë qytetar i vendeve anëtare të NATO-s nuk paguan për të votuar. Taksa a votës përcjell jo vetëm një frymë antidemokratike në Shqipëri, por edhe një mesazh të gabuar te partnerët tanë ndërkombëtarë në këtë moment kaq të rëndësishëm, kur Shqipëria duhet të provojë me zgjedhje absolutisht të lira e të ndershme se e meriton besimin dhe mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme. Taksa a votës nuk është një çështje politike? Taksa a votës është një çështje parimore. Çdo shqiptar e shqiptare, pavarësisht nëse jeton në qytet apo në fshat, nëse është i varfër apo i pasur, nëse është i punësuar, pensionist apo i papunë, duhet të ketë mundësinë për të ushtruar të drejtën e votës. Kjo është një e drejtë që qytetarët nuk mund ta blejnë dhe as një shërbim që qeveria duhet ta shesë. Kjo nyje duhet zgjidhur pa humbur kohë, që të kemi zgjedhje. Sot, më shumë se kurrë është e nevojshme që qeveria shqiptare të marrë një vendim të drejtë, për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Shtetasit e Republikës tonë nuk duhet të paguajnë për të qenë të lirë. Dëgjojeni zoti kryeministër sa s’është vonë zërin e arsyes së popullit sovran dhe adresojeni sa s’është kapërcyer kufiri i fundit kohor këtë problem, duke hequr taksën e votës e duke çliruar zgjedhjet nga zgjedha e pamundësisë ekonomike të qindra mijëra njerëzve për ta paguar këtë taksë absurde”, - shkruan ndër të tjera kreu i PS-së Edi Rama në letrën e dërguar kryeministrit.

Reagimi
Partia Demokratike ka reaguar negativisht ndaj letrës së kryesocialistit Edi Rama në drejtim të kryeministrit Berisha. Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, tha se procesi i aplikimit të kartave të identitetit po shkon shumë mirë dhe se përgjigjen Edi Rama për këtë letër do ta marrë më 28 qershor. “Çmimi i dokumentit të identitetit, që përmban koston e prodhimit të tij, jo vetëm që nuk është taksuar në mënyrë absolute siç trillon në mënyrë ordinere z.Rama, por përkundrazi, është subvencionuar nga shteti në masë 80 deri 100% për rreth 700 000 qytetare në nevojë dhe 25 deri 35% për të tjerët. Zoti Rama, siç u merr 50 lekë qytetarëve për një certifikatë dhe nuk ua jep ato pa paguar taksat e gjelbërimit dhe të pastrimit, për të cilat keqpërdor 1 dhe 7 për të vjedhur, nuk ke koncept tjetër lirie përveç mashtrimit, trillimit dhe plaçkitjes në Bashki. Nga ana tjetër, shkruaj letra 3 herë në ditë, shpif e trillo nga mëngjesi deri në darkë, të jesh i bindur se më 28 qershor do të marrësh fundin që ti meriton”, - tha zëdhënësja e PD-së.

Blushi: “Nëse Berisha fiton edhe 4 vjet, ai do ta kthejë Shqipërinë në Gërdec të madh”

Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste Ben Blushi dhe nënsekretari për Koordinimin në PS, Arben Ahmetaj, kanë takuar banorët e fshatit Progër në Korçë, ku kanë prezantuar programin e ri qeverisës të PS-së. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, Blushi ka akuzuar kryeministrin Berisha se po u mohon shqiptarëve të drejtën kushtetuese për të votuar. Blushi tha gjithashtu se nëse Berisha do të jetë edhe katër vjet të tjera në pushtet, e gjithë Shqipëria do të kthehet në Gërdec. “Nëse Berisha është edhe 4 vjet në pushtet, Shqipëria mund të jetë e gjitha një Gërdec. Gjithë Shqipëria do të ndihet ‘Gërdec i madh’ dhe secili prej nesh do të ishte i pasigurt, do të ishte i rrezikuar në rast se përsëritej një mandat tjetër për Sali Berishën. Por kjo është një gjë nuk ka për të ndodhur. Rrugës tonë nga shtëpia apo nga puna për në qendrën e votimit, të dielën, më 28 qershor, Sali Berisha i ka vënë një tra në mes, ky është trau i letërnjoftimeve. Varfëria nuk i lejon shumë njerëz të blejnë një letërnjoftim. Varfëria nuk i lejon shumë njerëz të fitojnë të drejtën e votës, të cilën Kushtetuta ua jep. Kushtetuta ua jep të drejtën e votës, Sali Berisha e shtrenjton për ta penguar”, - tha Blushi.

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›