E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dhe PD pranojnë draftin e LSI-së për votën e emigrantëve

Bashkëkryetarët Xhafaj dhe Rusmaili kanë miratuar shqyrtimin. Braho: LSI e vendosur për të çuar deri në fund nismën e saj

Shaban Sulçe
Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë pranuar më së fundi të shqyrtojnë në komisionin e reformës zgjedhore, draftin e paraqitur nga LSI, që mundëson pjesëmarrjen e emigrantëve shqiptarë në zgjedhje, duke votuar nga qendrat e tyre të banimit. Gjatë mbledhjes së djeshme të këtij komisioni, dy bashkëkryetarët Fatmir Xhafaj i Partisë Socialiste dhe Ilirian Rusmaili i Partisë Demokratike kanë vendosur të shqyrtojnë këtë draft, duke ja u kaluar atë ekspertëve. Një vendim i tillë është marrë gjatë mbledhjes së djeshme, ku duhet theksuar se ajo është zhvilluar pa praninë e përfaqësuesve të medias. Gjithsesi vendimi i djeshëm është vetëm një hap inkurajues, ndërkohë që ende nuk dihet se çfarë do të vendoset përfundimisht për të drejtën e votës së emigrantëve, duke patur parasysh se asnjë prej partive të mëdha, PS e PD, jo vetëm që nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim gjatë këtyre viteve, por edhe nuk janë shprehur asnjëherë nëse janë pro apo kundër votës së emigrantëve.
Braho
Përfaqësuesi i LSI-së në komisionin e reformës zgjedhore, Spartak Braho bëri dje publik lajmin e miratimit për shqyrtimin e draftit të LSI-së për votën e emigrantëve. “LSI sot dorëzoi platformën për pjesëmarrjen e emigrantëve për të votuar në vendet e tyre të banimit. U pranua. Të shikojmë qëndrimet e mëpasshme të dy bashkëkryetarëve”, tha Braho pas mbledhjes së komisionit. Deputeti i LSI-së gjatë deklaratës së djeshme denoncoi censurën e përfaqësuesve të dy partive PS e PD ndaj medias, pasi edhe gjatë ditës së djeshme komisioni i zhvilloi punimet pa praninë e saj. “Vazhdon censura e mbledhjeve të komisionit të reformës zgjedhore. Siç e shikoni, ju qëndroni jashtë, dy bashkëkryetarët vazhdojnë të shkelin Rregulloren e Kuvendit dhe mbledhjet vazhdojnë të bëhen të mbyllura”, tha Braho.
Listat e zgjedhësve
Komisioni për Reformën Zgjedhore ka vendosur dje që të thërrasë në një nga mbledhjet e tij Drejtorin e Përgjithshëm të Gjendjes Civile, për të informuar mbi procesin e hartimit të listave zgjedhore. Në përfundim të mbledhjes së djeshme të Komisionit për Reformën Zgjedhore, bashkëkryetari i këtij komisioni, Ilir Rusmaili, përfaqësues i PD-së bëri publik vendimin e marrë nga anëtarët e komisionit. “Duhet të organizojmë konsulta me Drejtorin e Gjendjes Civile, pasi lista e zgjedhësve është një dokument i pashkëputur nga sistemi i regjistrit kombëtar të Gjendjes Civile, që është përfshirë në një projekt modernizimi”.
Ai deklaroi gjithashtu se anëtarët e komisionit ranë dakord për një konsultë me përfaqësuesit e kësaj drejtorie në Ministrinë e Brendshme, lidhur me formulimet që janë diskutuar në komision dhe në përfundim të kësaj konsulte do të votohet për të gjitha listat e zgjedhësve. Komisioni për Reformën Zgjedhore shqyrtoi gjithashtu një grup dispozitash që kanë të bëjnë me caktimin e datës së zgjedhjeve dhe me të gjitha kapitujt e listave të zgjedhësve. “Në ditët në vijim presim të diskutojmë dhe çështje të tjera po kaq të rëndësishme, siç janë administrata zgjedhore apo procedurat e votimit dhe numërimit të votave”, tha Rusmali.

Drafti i LSI-së për votën e emigrantëve

1. Gjatë përpilimit të listave, për çdo njësi të qeverisjes vendore duhet të bëhet identifikimi i personave, të cilët kanë emigruar jashtë vendit, duke shënuar me germën "E", (emigrant).
2. Grupet e punës përcaktojnë saktë adresën e vendbanimit të tij të ri (Jashtë vendit).
3. Ky proces duhet të përfundojë 30 ditë para datës së zgjedhjeve.
4. Çdo njësi zgjedhore dërgon në KQZ numrin e saktë të emigrantëve të evidentuar gjatë përgatitjes së listave.
5. KQZ vendos për prodhimet e fletëve të votimit për emigrantët.
6. Përgatitja e fletëve të votimit duhet të përfundojë deri 15 ditë para datës së zgjedhjeve dhe këto fletë votimi duhet t'u dërgohen Komisioneve Zonale Zgjedhore (KZZ) pranë njësive zgjedhore (Qarkut).
7. Këto komisione marrin masa për dërgimin e fletëve të votimit shtetasve shqiptarë, sipas adresave të përcaktuara.
8. Fletët e votimit duhet të jenë të futura në një zarf të posaçëm, i cili duhet të jetë i veçantë për çdo njësi zgjedhore, me qëllim që ta bëjë atë të dallueshëm.
9. Ky zarf që mban brenda fletët e votimit, futet në një zarf tjetër dhe pastaj fillon procesi i dërgimit të tyre me postë sipas adresave.
10. Pasi merr zarfin me fletën e votimit, emigranti voton e mbyll fletën e votimit në zarfin e posaçëm dhe po të njëjtin zarf, e dërgon në komisionin pranë njësisë zgjedhore që ia ka dërguar.
11. Zarfet me fletët e votimit që dërgohen pranë komisionit të njësisë zgjedhore, hapen nga ky komision dhe vota do të numërohet për atë subjekt që ka votuar zgjedhësi.
12. Hapja e zarfeve dhe numërimi i votave bëhet nga komisioni pranë njësisë zgjedhore.
13-Për nxjerrjen e rezultatit duhet të caktohet një afat, i cili parashikon dhe kohën e nevojshme për mbërritjen e zarfit.

17 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›