PS dorëzon në KQZ kërkesën për pavlefshmëri të procezit zgjedhor në Tiranë
Partia socialiste ka dorëzuar gjatë pasdites së sotme në Komisionin Qendror Zgjedhor kërkesën për pavlefshmërinë e procesit zgjedhor në Tiranë.
Kërkesa e Partisë Socialiste ka si qellim shpalljen si të pavlefshme të zgjedhjeve në 284 qendra votimi, ku socialistët kanë argumentuar se ka patur probleme.
Në kërkesën ankimore të PS-së thuhet se sipas vetë tabelave të rezultateve të hartuara nga Grupet e Numërimit Vendor fillimisht dhe vetë KQZ në procesin e realizuar prej saj, rezulton se ka mospërputhje të rënda në rezultatin e kësaj zone zgjedhore, mospërputhje të cilat nuk janë pasojë e ndonjë gabimi njerëzor, pasi në atë rast do të ishte i korrigjueshëm, por që janë produkt i vetë procesit të votimit e numërimit, mospërputhje që demonstrojnë qartësisht shkeljen e ligjit.
Partia Socialiste në kërkesën ankimore gjithashtu thotë se rezulton se, në rreth 35 % të kutive u konstatuan dhe dokumentuan probleme serioze të integritetit dhe sigurisë së tyre, gjë që vendos në pikëpyetje të drejtëpërdrejtë integritetin e materialit zgjedhor që ndodhet brenda tyre.