E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dorëzon sot propozimet për rregulloren e Kuvendit

TIRANE-Partia Socialiste dorëzon sot në Kuvend propozimet për rregulloren e Kuvendit. Paketa, e cila ka ditë që diskutohet, do të prezantohet në Konferencën e Kryetarëve.
Deputeti i PS-së, Ditmir Bushati ka konfirmuar në një prononcim televiziv se “kemi punuar për reformën parlamentare. Nesër në Konferencën e Kryetarëve, grupi parlamentar do të propozojë se çfarë synojmë nëpërmjet reformës, në mënyrë që parlamenti të funksionojë në bazë të dialogut dhe konsensusit politik”, - u shpreh Bushati. Një prej atyre që kërkon PS-ja në këto ndryshime është kthimi i votës së fshehtë për persona të veçantë. Propozimet janë përgatitur nga nënkryetari i Kuvendit, Namik Dokle e deputeti Saimir Tahiri. 3 javë para përgjigjes së BE-së për statusin e kandidatit, deputeti Ditmir Bushati sqaron tri shtyllat, mbi të cilat PS-ja mbështetet për realizmin e kritereve për një vlerësim pozitiv. “Elementi i parë: reformë zgjedhore e plotë. Elementi i dytë: reformë institucionale që do të garantonte ndarjen e shtetit nga pushteti, dhe elementi i tretë: një reformë e plotë parlamentare”, - sqaroi Bushati.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›