E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS drejt protestave, Berisha nis dialogun

Dialogu parlamentar shkon drejt limiteve, kriza rrezikon të thellohet më tej

Pak ditë para se mazhoranca parlamentare të shprehet përfundimisht për dy nismat ligjore të Partisë Socialiste, palët praktikisht i kanë dhënë fund mundësisë së dialogut dhe kanë zbritur në bazë. Partia kryesore e opozitës, përmes deputetit Namik Dokle paralajmëroi dje se 18 marsi është shansi i fundit për Berishën në të kundërt do të përballet me protesta. Po dje, Kryeministri shënoi fillimin e një turi informues siç e konsideroi ai, në një takim në Elbasan kur prezantoi planin për autostradën Tiranë-Durrës. Përballjet në Komisionin e Ligjeve duket se kanë bindur palët se as ketë herë nuk do të ketë zgjidhje, ndaj opozita iu rikthye idesë së protestave, ndërsa Kryeministri do të kundërpërgjigjet duke shpalosur reformat e qeverisë.

Berisha

Kryeministri Berisha nisi dje takimin e parë të turit në të cilin siç ka bërë me dije do të prezantojë reformat e qeverisë shqiptare. Duke pasur në sfond pamjet dhe logot e paraqitura edhe para dhe gjatë fushatës elektorale “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri paraqiti planin e rrugës Tiranë-Elbasan që, sipas tij, do të jetë vetëm 18 minuta largësi në aspektin kohor. Pas Elbasanit, Berisha premtoi se do të shkojë në Berat, e më pas do prezantojë boshtin e jugut. Autostrada Tiranë-Elbasan, me gjatësi 31 kilometra, është segmenti i parë i Boshtit të Jugut. Autostrada do jetë me 4 korsi, do të ketë dy tunele përkatësisht 2.3 dhe 2.1 kilometra, 7 mbikalime, 4 nënkalime, tre kryqëzime dhe shpejtësi lëvizjeje 110 km/orë. Ndër të tjera, Kryeministri Berisha u ndal te gjendja ekonomike në vend, por edhe përpjekjet e qeverisë për të ulur shpenzimet burokratike dhe t’i kthejë ato në shërbime për qytetarët. “Ne ruajtëm rritjen ekonomike, në një kohë kur të tjerët ranë në mënyrë dramatike. Rritja jonë ekonomike erdhi, sepse ne kemi sistemin fiskal më të lehtë në Europë, barrën fiskale më të ulët për bizneset, se çdo vend tjetër i Europës. Rritja jonë ekonomike dhe ekonomia jonë rezistoi, sepse ne, me reformat tona, kemi bërë që qytetarët shqiptarë të paguajnë për rrogëtarët e tyre më pak se të gjithë qytetarët e Europës”, deklaroi ai.

Dokle

“18 Marsi, dita kur Parlamenti do të shqyrtojë dy projektet e paraqitura nga opozita, është shansi i fundit për mazhorancën që t’i hapë rrugë demokracisë europiane në Shqipëri, është shansi i fundit që të dalë nga errësira e krimit elektoral dhe të hap rrugën e transparencës”, ishte paralajmërimi i radhës i Partisë Socialiste në adresë të mazhorancës, ndërsa Komisioni i Ligjeve ishte duke shoqëruar dje nismat ligjore të paraqitura nga Partia Socialiste. E ndërsa zhvillimet nga kjo mbledhje tregonin se mazhoranca nuk mund të pranonte versionin e paraqitur nga PS, kjo parti ashpërsoi tonet duke caktuar datën 18 mars si shansin e fundit për mazhorancën. Ndërkohë, selia rozë është duke marrë masat e nevojshme për të nisur protestat. Javën e shkuar, kryetari socialist, Edi Rama, zhvilloi takime kokë më kokë me deputetët ku kërkoi që të organizojnë bazën socialiste për nisjen e protestave pas datës 18 mars. Ndërkohë, deputeti socialist, Namik Dokle, paraqiti një sërë të dhënash para mediave që lidhen me manipulimet në Ruzhdie dhe shumë raste të tjera në vend. Sipas tij, në Ruzhdie 94 persona që kurrë nuk kanë pasur pasaportë, figurojnë sikur kanë votuar me pasaportë, 173 persona që nuk kanë aplikuar kurrë për kartë identiteti, rezultojnë se kanë votuar me kartë identiteti, 80 hajdutë votash votuan në vend të emigrantëve që s’kishin ardhur fare në Shqipëri.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›