Sarandë kërkohet plan urbanizimi për detin
U zhvillua mbledhja më e rëndësishme e Këshillit Bashkiak të Sarandës. Në këtë takim është marrë në shqyrtim, si dhe është miratuar në mënyrë konsensuale projekti i buxhetit për vitin 2010. Këshilltarët kanë kërkuar shpjegime për elementë të veçantë të buxhetit, që lidhen me strukturën organike të Bashkisë Sarandë, për kriteret mbi të cilat bëhet rritja e pagave të administratës publike. Po ashtu është kërkuar sqarim nëse do të ketë reformë apo ristrukturime të drejtorive të bashkisë gjatë këtij viti. Mbledhja ka vijuar me replika për nivelin e realizimit të investimeve publike për vitin 2009, kjo e lidhur ngushë me efektivitetin e punës së administratës publike.
Po kështu, nga këshilltarë të opozitës u debatua për lëvizjen e specialistëve nga institucionet në varësi të bashkisë në ndërmarrjen e re të shërbimeve pranë saj. është vlerësuar në përputhje me standardet europiane treguesi që çdo punonjës bashkie është në shërbim të rreth 500 banorëve të qytetit. Megjithëkëtë, kryetari i këshillit bashkiak, Arjan Demiri, shprehu shqetësimin që jo gjithnjë performanca e administratës së bashkisë është ajo që kërkohet nga qytetarët. Këshilltarët renditën edhe një varg shqetësimesh të tjera të qytetarëve, të cilat lidhen me politikat e strehimit, me dukurinë e mbartjes së një numri jo të pakët investimesh nga njeri vit në tjetrin, me ekzistencën e disa subjekteve debitore, me vazhdimin e mbushjes së detit me materiale inerte, apo me faktin një në zonat suburbane vazhdon të mungojë uji i pijshëm apo të ketë problematikë për ujërat e zeza. Një këshilltar ka pyetur nëse bashkia ka ndonjë projekt për agjencinë e udhëtarëve, tani që privatizimi ekstrem ia hoqi agjencinë ekzistuese qytetit.
Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, ka veçuar si karakteristikë thelbësore të buxhetit 2010 faktin që ai është një buxhet aktiv, jo konsumues, por investues dhe se investimet shpërndahen në mënyrë të barabartë në lekë për frymë nga Saranda, deri në Shelegar, që është fshati më i skajshëm, pjesë e territorit administrativ të bashkisë. Buxheti i vitit 2010, që mori miratimin konsensual të të gjithë këshilltarëve, përmban edhe karakterin social të qeverisjes vendore, të dukshme në faktin e rritjes me 0.2 milionë dollarë për mbështetjen sociale. Edhe më e rëndësishme është vlerësuar që 40% e fondeve të tij shkojnë për investime dhe jo për konsum, ndërkohë që niveli i shpenzimeve administrative shkon në ulje dhe të ardhurat planifikohen në rritje. Gjoka tha se është aplikuar për 15 projekte nga të cilat 11 janë fituar, që kapin vleftën 157 milionë lekë, ose 5 herë më shumë se një vit më parë. Gjoka përmend si një start të mirë të këtij viti edhe faktin që në vitin 2010 Bashkia e Sarandës u fut me 130 milionë lekë gjendje në arkën e vet, ndërkohë që konsideron si element të ri arkëtimin e 36 milionë lekëve të ardhura nga debitë e saj. Këshilltarët socialistë kanë kërkuar të ulen shpenzimet administrative me 8%, të rriten me 5 milionë lekë të ardhurat nga taksat vendore, të destinohet një fond prej 50 mijë lekë për një projekt në shërbim të paraplegjikëve. Këshilltarët e LSI janë paraqitur me kërkesën për një plan urbanizimi për detin, që të destinohen shpenzime më të mëdha në det, në plazhe e për menaxhimin më të mirë të tyre, pasi atje është vendi kryesor ku realizohet sezoni turistik.
#