E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS e Korçës: Pendavinji mashtron për rezolutën

Anëtari i Asamblesë së PS-së Korçë, Sitki Mulla, akuzon kreun e partisë së kësaj dege se ka tjetërsuar përmbajtjen e rezolutës


Gjatë mbledhjes së ditës së diel, Asambleja e Partisë Socialiste e Korçës miratoi një rezolutë që do e paraqesë në kongres. Por në këtë mbledhje, një prej figurave të PS-së, Ben Blushi, shpalli kandidaturën për kryetar. Në fund të mbledhjes u hartua edhe një rezolutë, e cila është kthyer dy ditët e fundit në një mollë sherri.


Kreu i PS-së lokale, Pendavinji, ka pohuar një ditë më pas se ishte baza e partisë që kishte kërkuar kandidimin e Blushit, ndërsa vetë baza ka thënë të kundërtën dhe i ka kërkuar dje kryetarit që të përgënjeshtrojë veten.


Një nga njerëzit që ka thërritur mbledhjen e asamblesë, Sitki Mulla, shpjegon për "Shekulli"-n rezolutën e miratuar, debatet në sallë, por edhe të vërtetën e rezolutës lokale.


Z. Mulla ditët e fundit është krijuar një tymnajë lidhur me vendimmarrjen e Asamblesë Socialiste të PS-së së Korçës, për sa i përket kandidimit të Ben Blushit dhe miratimit të rezolutës. Si anëtar dhe nismëtar i mbledhjes së asamblesë, mund të na thoni se si qëndron e vërteta lidhur me këtë debat?


Me nismën e 40 anëtarëve të asamblesë, u zhvillua mbledhja e këtij forumi për të miratuar rezolutën e Asamblesë Kombëtare të PSSH-së, duke vlerësuar se zgjedhjet që u zhvilluan ishin të manipuluar dhe me shumë standarde të shkelura, që ndikuan direkt në rezultatin e zgjedhjeve.


Gjithashtu, shprehëm mbështetjen për qëndrimin e kryetarit të PS-së Edi Rama, i cili, sipas nesh, u luftua nga të gjitha krahët, jo vetëm nga PD-ja dhe nga LSI-ja, por edhe nga brenda dhe sidomos nga një pjesë e atyre individëve që duhet ta mbështesnin.


Synimi ishte i qartë, që PS-ja të humbte zgjedhjet dhe Edi Rama të linte drejtimin e partisë. Në mbledhje, disa mbështetës të Ben Blushit, në kuadër edhe të luftës që Blushi bën ndaj Edi Ramës, synonin që të mos dilte se ne mbështesnim rikandidimin e Ramës. Ne si nismëtarë të mbledhjes së asamblesë kundërshtuam.


Në këtë situatë, ata kërkuan që në rast se do të vendosej emri i Edi Ramës, të vendosej edhe ai i Ben Blushit.
Kryetari i PS-së së Korçës ka deklaruar se kandidimi i Blushit erdhi si kërkesë e asamblesë....


Jo, jo. E kërkoi vetë Ben Blushi. Ai u tha disa mbështetësve të tij që ta kërkonin si kandidat. Madje ishte vetë kryetari i PS-së së Korçës, Pendavinji, që i kërkoi Ben Blushit që të sqaronte nëse do kandidonte apo jo.


Dhe Ben Blushi deklaroi aty që po, do të kandidonte. Ai argumentoi se nuk mund ta shpallte kandidaturën në Tiranë apo në ndonjë qytet tjetër, por duhet ta shpallte në Korçë.


Dhe si u përcaktua kjo në rezolutë?


Në mbledhje ekzistuan dy qëndrime. I pari dhe që mbështetej nga përkrahësit e Blushit, ishte që të mos vihej në rezolutë emri i Edi Ramës, ndërsa ne që kërkuam mbledhjen e asamblesë mbështesnim rikandidimin e Ramës. Grupi i kryetarit të PS-së së Korçës kërkoi që në rast se do të vendosej emri i Edi Ramës në rezolutë, të vendosej edhe emri i Blushit si kandidaturë.


Dhe ne ramë dakord që të vendosej emri i cilitdo që do kishte dëshirë të kandidonte dhe që plotësonte kriteret statutore. Kjo është situata dhe jo ashtu siç e paraqiti Pendavinji në një deklaratë për mediat.


Unë dhe shumë kolegë të mi ishim kundër kandidimit, megjithëse nuk e ndalojmë dot që të kandidojë. Për këtë arsye, ne pranuam që emri i tij të përfshihet në rezolutë, por jo se ai u mbështet në mënyrë unanime.


Si ishin raportet në asamble midis mbështetësve?


Nuk u votua. Ne si grup nismëtar të mbledhjes së asamblesë kërkuam që të votohej dhe ata nxorën pretekste të ndryshme dhe, si përfundim, nuk u votua, por u la me konsensus që të vendoseshin të dy emrat.


Po për sa u përket ndryshimeve statusore, cili ishte qëndrimi që u përfshi edhe në rezolutë?


Nuk është e vërtetë ajo që thotë kryetari se asambleja miratoi projektin e rezolutës Blushi për ndryshimet statutore. Aty nuk u paraqit projekti "Blushi" dhe në rezolutë u përcaktua që ndryshimet statutore i mbështesim, por që të bëhen në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.


Nuk është momenti që të bëhen tani, por para se të miratohen, të paraqiten një herë në organizata, të diskutohen dhe më pas të procedohet. Aty nuk u citua asgjë si projekti "Blushi", apo siç e paraqiti Pendavinji.


Për këtë arsye, një pjesë prej nesh që kërkuam mbledhjen e asamblesë, kemi dalë me një qëndrim publik, ku përgënjeshtrojmë ato që tha kryetari i PS-së së Korçës, Ilir Pendavinji dhe kërkojmë që edhe ai të përgënjeshtrojë ato që deklaroi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›