E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjerohen gërmimet në lagjen romake në Apoloni

Janë gjetur gjurmë të tjera vilash në pjesën perëndimore të qytetit. Sipas studimit dhe zbulimit të elementëve të tjerë të këtyre ditëve, kjo lagje i përket shoqërisë aristokratike


Gërmimet e fundit të ekspeditës arkeologjike shqiptaro-franceze në qytetin antik të Apolonisë, më saktë në zonën e vilave romake të shekullit të II mbas Krishtit, ofrojnë të reja.


Për herë të parë këtu është gërmuar në vitet '60 nga arkeologët shqiptarë Hasan Ceka dhe Selim Islami, në bashkëpunim me një ekip rus.


Siç shihet edhe nga këto pamje, një pjesë e kësaj vile është e zbuluar, por me kalimin e viteve aty nuk është gërmuar më.


Ekspedita e fundit në sektorin romak, në pjesën perëndimore të qytetit të Apolonisë, ka nxjerrë në dritë një vilë që po zbulohet plotësisht.


Vila ka një oborr të ruajtur mirë, të shtruar me pllaka guri dhe me një fontanë tetëkëndore. Sipas profesorit francez, Jean-Luc Lamboley, i cili drejton punimet, përveç kësaj vile të zbuluar në vitet '58-'60, aty ka edhe vila të tjera dhe ka ardhur koha që të gjitha këto të zbulohen pjesë-pjesë.


Ai pohon se kjo është një zonë me rëndësi për të kryer gërmime dhe për t'u studiuar, sepse duhet të jetë ndër zonat më të pasura me vila romake që mund të jenë përdorur në periudhën helenistike.


Po punohet ndërkaq që të nxirren elementë të tjerë, sidomos në pjesën perëndimore, për të plotësuar planimetrinë e një shtëpie ose të vilave që ndodhen nën tokë prej shekujsh dhe që do të zbulohen me kalimin e kohës.


Sipas profesorit Jean-Luc Lamboley, kjo është një lagje ku banorët që i përkisnin shtresës së lartë të shoqërisë, jetonin në Vila, të cilat ndaheshin njëra nga tjetra nga një rrugë me pllaka, e cila sapo është zbuluar.


Është një zbulim i ri që jep të dhëna se si ka qenë e organizuar vendosja e banesave.
Gërmimet e kësaj ekspedite do të vazhdojnë deri në fund të shtatorit.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›