Kukës, përfshihet nga flakët tregu i qytetit
Zjarri ka shkrumbuar plotësisht një magazinë me mallra industriale
KUKËS - Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë papritur tregun industrial të qytetit të Kukësit, ku për pasojë është shkrumbuar plotësisht magazina me mallra industriale në pronësi të shtetasit Sokol Gashi.
Burime të policisë së Kukësit bëjnë të ditur se zjarri ka rënë rreth orës 10:00 të paradites, ku për pasojë janë djegur tre katet e ndërtesës, ku kanë qenë të depozituara një sasi e madhe mallrash industrialë si konfeksione, tapete, materiale elektrike e plastikë etj. Zjarri fillimisht ka rënë në bodrumin e ndërtesës dhe më pas ka përfshirë të gjitha katet e saj, si dhe verandën, ku kanë qenë të ekspozuara mallrat.
Menjëherë është njoftuar policia dhe forcat zjarrfikëse të cilat duke përfituar edhe nga afërsia kanë mbërritur me urgjencë, ndërkohë që flakët sa vinin e bëheshin kërcënim serioz edhe për banorët e dy pallateve pranë, si dhe të njësive të tjera tregtare.
Dy automjete zjarrfikëse kanë filluar menjëherë nga puna për shuarjen e zjarrit, ndërkohë që kanë kontribuar me mjete rrethanore edhe banorët e pallateve të lagjes nr.1, si dhe tregtarë dyqanet e të cilëve rrezikoheshin nga flakët. Pas rreth 45 minutash forcat zjarrfikëse kanë arritur të neutralizojnë zjarrin.
Policia ka filluar hetimet lidhur me shkaqet, ndërkohë që pronari pretendon se shkak i rënies së zjarrit ka qenë një shkëndijë elektrike. Sipas njërit prej ekspertëve të KESH-it është bërë e udhës që sa herë bie zjarr, faji i mbetet kontakteve elektrike. Eksperti me privatizimin e OSSH-së tha se pretendimet ndaj elektrikut për shkaktar të zjarreve do të hetohen nga një grup specialistësh të kompanisë ÇEZ.
Kështu që do të jetë një grup ekspertësh i kësaj kompanie që së bashku me ekspertë të policisë do të përcaktojnë përfundimisht shkakun e rënies së zjarrit. Zjarri që ka rënë të martën paradite në tregun e qytetit të Kukësit ka vënë në alarm banorët e lagjes nr.1, si dhe njesitë e tjera tregtare, pasi ndërtimet në këtë treg janë të gjitha pa leje dhe pa asnjë plan rregullues.
Nisur nga kjo situatë bashkia e qytetit ka tentuar disa herë zhvendosjen e këtij tregu në një vend tjetër, por ka hasur në rezistencën e tregtarëve të cilët kanë investuar miliona për ndërtimin e dyqaneve dhe magazinave.