E Shtunë, 31 Tetor 2026

Barka dhe Ksera, të parët në listat e PD, PBDNJ i përjashton nga partia

Ofertat e Berishës përccajnë minoritarët
Dy minoritarët Spiro Kserën dhe Kosta Barkën i ka marrë në anën e saj PD-ja për ti kandiduar për deputet nën siglën e saj. Pas nënshkrimit të marrëveshjes elektorale dhe paselektorale të PBDNJ-së me socialistët, filloi përçarja brenda strukturës së saj, ku një pjesë e anëtarëve të kësaj partie dhe organizatës Omonia janë pozicionuar pro kësaj vendimmarrje, ndërsa pjesa tjetër është pozicionuar kundër. Dy kundërshtarët më të fortë Ksera dhe Barka të cilët kanë shprehur hapur mendimin e tyre, janë tashmë në listat e kandidatëve për deputet të partisë Demokratike. Në këtë mënyrë, në zgjedhjet e 28 qershorit, PBDNJ do të paraqitet e ndarë, në ato zona që tradicionalisht janë bastione të saj qarku Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë. Mjafton të përmendet fakti që veç Barkës, e Kserës, PBDNJ do të ketë përballë edhe partinë e Ligoraq Karamelos, që është në koalicion me LSI. Në lidhje me kandidimin e Kserës dhe Barkës nën siglën e PD-së, PBDNJ ka dal me deklaratën e saj, ku ka theksuar se do të largojë nga gjiri i vet të gjithë kandidatët demokratë. Nga njëra anë kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka paralajmëruar largimin nga partia të nënkryetarit Kosta Barka nëse ai do të rezultojë i renditur në listat e Partisë Demokratike, ndërsa nga ana tjetër, të njëjtin paralajmërim ka bërë dhe kreu i Omonia-s, Vasil Bollano për nënkryetarin e organizatës së minoritareve Spiro Ksera. PBDNJ për nga filozofia e vet nuk është një parti e përjashtimeve dhe e ndëshkimeve. Gjithsecili është i lirë që të ndjekë rrugën që do, por përpara se ti bashkëngjitet asaj është në nderin dhe në moralin e tij të paraqesë dorëheqjen pranë PBDNJ, nënvizoi Dule. Ndërkohë pak orë përpara mbylljes së afatit të dorëzimit të listave të deputetëve në KQZ, ditën e djeshme Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën Omonia dhe shoqatën e vllehve të Shqipërisë. Kryetari i PBDNJ-së, Dule sqaroi se partia e tij do të dal me lista të përbashkëta deputetesh me Omonian në Gjirokastër dhe në Korçë, ndërsa bashkëpunimi me shoqatën e vllehve të Shqipërisë, do të jetë në rrethin e Korçës.
Ksera: Vota e minoritarëve për PD
Njëri prej drejtuesve të Omonias Spiro Ksera, ka garantuar se votat e minoritarëve do të pozicionohen në anën e tij, pasi pozicionohet në listën e PD për deputet në Qarkun e Gjirokastrës. Jam i bindur se elektorati minoritar, do të dijë të bëjë zgjedhjen e duhur për ti përfaqësuar në parlamentin e ardhshëm, është shprehur prefekti i Gjirokastrës ende në detyrë, Spiro Ksera. Ky i fundit ka dënuar edhe një herë qëndrimin e mbajtur nga ana e Dules për bashkëpunim paraelektoral me PS-më, çka sipas tij është e panevojshme. PBDNJ dhe Omonia, i ka kapacitetet e duhura për të matur forcën e saj në përballjen krahas subjekteve të tjera politike në garën e 28 qershorit. Organizata Omonia, shpreson të përfaqësohet në zgjedhjet e 28 qershorit me dy kandidatë të inkuadruar në një forcë politike, është shprehur Ksera duke nënkuptuar kandidimin e tij dhe të Kosta Barkës nën siglën e Partisë Demokratike. Sipas tij, veprimet e Dules nuk kanë marrë në konsideratë mendimin e anëtarësisë së PBDNJ dhe kjo bie në kundërshtim me interesat e tyre dhe veç kësaj kjo forcë politike, duhet të qëndronte e pavarur në zgjedhjet e afërta. Ksera nuk ka kursyer edhe komplimentet për qeverinë, zotin Berisha dhe deputetin e Gjirokastrës, Genc Ruli të cilët sipas tij i kanë kushtuar më tepër vëmendje komunitetit grek në jug të vendit me investimet e shumta të kryera gjatë katër viteve të fundit në krahasim me tetë vite të qeverisjes së PS. Është fakt që gjatë katër viteve të fundit, qeveria demokrate ka investuar në mjaft sektorë në komunat minoritare duke sistemuar përrenj që rrezikonin ekonominë fshatare, rehabilituar rrugë, ujësjellës. Dhe ky është një tregues i qartë që bashkëpunimi mund të vazhdonte të ishte i frytshëm, pohon Ksera. Prefekti në detyrë i Gjirokastrës ka bërë të ditur edhe një fakt të papublikuar më parë në median shqiptare ndërkohë që në mediat greke sapo është emetuar. Bëhet fjalë për porosinë e transmetuar tek Vangjel Dule, zv/ministri i jashtëm grek Kassimis gjatë vizitës së kryeministrit Karamanlis disa ditë më parë në Tiranë. Kassimis, citohet nga gazeta më e madhe greke Kathimerini, i ka shprehur qëndrimin e qeverisë greke kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule që mos të diskutonte asnjë lloj aleance me PS-në, ndërkohë që kishte lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit me PD-në e Berishës. Vetë ardhja e Karamanlisit në Tiranë disa javë para zgjedhjeve të përgjithshme për Kserën është përkthyer mbështetje e fuqishme që qeveria greke i jep Berishës dhe qeverisë së tij.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›