Presidenti dekreton gjykatat e reja
Kreu i shtetit ka dekretuar kompetencat tokësorë të gjykatave të Apelit dhe atyre të seksionit të të miturve
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, shpalli dekretet për caktimin e kompetencave tokësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së
Gjykatave të
Apelit si dhe dekretin e krijimit të seksioneve penale për gjykimin e të miturve pranë gjykatave të rretheve gjyqësore. Kështu, sipas faqes zyrtare të internetit të Presidencës, njoftohet se me dekretin e dy ditëve më parë, përveç krijimit të seksioneve penale për gjykimin e të miturve pranë gjykatave të rretheve gjyqësore Tiranë e Shkodër, tashmë do ketë seksion të miturish edhe pranë Gjykatës së Elbasanit, Korçës, Durrësit, Vlorës dhe Gjirokastrës. Sipas këtij dekreti që urdhërohet Ministri i Drejtësisë të zbatoi, tashmë janë krijuar në të gjitha qytetet ku ka në funksionim Gjykatë të Apelit edhe seksioni i të miturve.
"Dekret, për krijimin e seksioneve penale për gjykimin e të miturve pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore, në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 13, paragrafi 4 të ligjit nr. 7905, datë 21.03.1995 "Kodi i Procedurës Penale", të ndryshuar, me propozim të ministrit të Drejtësisë, dekretohet krijimi i seksionit penal për të mitur pranë Gjykatës së Tiranës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Elbasanit, Korçës dhe Shkodrës"-thuhet në dekretin që mban nr. 6218.
Gjithashtu, Presidenti Topi dekretoi edhe caktimin e kompetencave tokësore dhe të qendrës së ushtrimit të veprimtarisë së gjykatave të Apelit. Sipas dekretit me nr. 6217, në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, Gjykatat e Apelit organizohen në 6 zona, me kompetencë tokësore dhe qendra të ushtrimit të veprimtarisë së tyre.
SEKSIONI I TË MITURVE
Në territorin e Republikës së Shqipërisë, seksionet penale për gjykimin e të miturve krijohen në:
Gjykatën e Tiranës do gjykohen të miturit e rretheve gjyqësore Dibër, Krujë, Kurbin, Mat dhe Tiranë.
Gjykatën e Durrësit, do gjykohen të miturit e rretheve gjyqësore Durrës dhe Kavajë.
Gjykatën e Shkodrës, do gjykohen të miturit e rretheve gjyqësore Lezhë, Kukës, Pukë, Shkodër dhe Tropojë.
Gjykatën e Vlorës, do gjykohen të miturit e rretheve gjyqësore Berat, Fier, Lushnje dhe Vlorë.
Gjykatën e Korçës, do gjykohen të miturit e rretheve gjyqësore Korçë dhe Pogradec.
Gjykatën e Gjirokastrës, do gjykohen të miturit e rretheve gjyqësore Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë.
Gjykatën e Elbasanit, do gjykohen të miturit e rretheve gjyqësore Elbasan.
KOMPETENCAT TOKËSORE TË APELEVE
Gjykata e Apelit Tiranë, me kompetencë tokësore Gjykatën e Dibrës, Krujës, Kurbinit, Matit dhe Tiranës
Gjykata e Apelit Durrës, me kompetencë tokësore Gjykatën e Elbasanit, Durrësit dhe Kavajës.
Gjykata e Apelit Shkodër, me kompetencë tokësore Gjykatën e Lezhës, Kukësit, Pukës, Shkodrës dhe Tropojë.
Gjykata e Apelit Vlorë, me kompetencë tokësore Gjykatën e Beratit, Fierit, Lushnjes dhe Vlorës
Gjykata e Apelit Korçë, me kompetencë tokësore Gjykatën e Korçës dhe Pogradecit
Gjykata e Apelit Gjirokastër, me kompetencë tokësore Gjykatën e Gjirokastrës, Përmetit dhe Sarandës
-----------------------------------------------------------------------------------------------------------
TIRANË- Zyra Postare e vendosur në Qytetin Studenti është grabitur nga një person i vetëm, i cili ka mundur që të marrë rreth 30 mijë lekë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë momenteve që punonjësit po linin zyrat. Sipas të dhënave policore, grabitësi i zyrës postare është identifikuar nga uniformat blu, por emri i tij nuk është bërë i ditur për shkak se po punohet për hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Si autori të dyshuar të kësaj grabitjeje, policia e kryeqytetit ka një përdorues droge, i cili njihet në këtë zonë për tendencën e grabitjeve. Të dhënat paraprake që ka grumbulluar policia tregojnë autori i grabitjes dyshohet se është një person i ri në moshë.
Ai sapo është futur në mjediset e zyrës postare që shërben për njësinë nr .1 të kryeqytetit ka detyruar punonjësen që të dorëzojë të gjitha paratë që kishte aty. I riu pasi e ka realizuar qëllimin e tij është larguar nga vendi i ngjarjes, por është identifikuar dhe po punohet për arrestimin e tij.
Pas ngjarjes janë njoftuar menjëherë uniformat blu të Komisariatit të Policisë nr .1 të lajmëruar nga vetë punonjësit e zyrës së postës, të cilët kanë mbërritur në vendin ku ndodhi grabitja, në Qytetin Studenti, fare pranë stacionit të policisë që kujdeset për rendin dhe qetësinë në këtë zonë.
Blutë e Komisariatit nr. 1 kanë marrë në pyetje fillimisht punonjësit e Zyrës Postare nr. 13 të cilët kanë rrëfyer para hetuesve të policisë gjithë skemën e grabitjes, e ka marrë nga vetë punonjësit e postës, të cilët kanë rrëfyer mënyrën se si është kryer grabitja.
Policia, po heton nëse autori i grabitjes së zyrës postare nr. 13 është i përfshirë në grabitjet e tjera të ndodhura në kryeqytet gjatë javëve të fundit, të cilat kanë qenë të shpeshta. F. Cuka