PS e Tiranës, zëvendësohen krerët e minibashkive

Sajmir Tahiri
Partia Socialiste e Tiranës nis fazën e fundit të zgjedhjeve të saj. Që sot do të fillojnë mbledhjet e asambleve të 11 minibashkive të Tiranës, që do të zgjedhin drejtuesin e tyre përmes parimit një anëtar, një votë. Mësohet se kreu i PS-së së Tiranës, Sajmir Tahiri, u ka kërkuar dorëheqjen të gjithë krerëve aktualë që drejtojnë degën socialiste në çdo minibashki, për të zgjedhur në vend të tyre elementë të rinj, të cilët janë propozuar nga anëtarët e asambleve. Ish-drejtuesit socialistë të njësive vendore të Tiranës nuk do të kenë të drejtë të rikandidojnë, për ti dhënë në këtë mënyrë një hapësirë të re organizimit të PS në këtë vit elektoral. Që pas zgjedhjes së Tahirit në krye të PS së Tiranës, me vendim të Kryesisë socialiste, në të gjitha organizatat nisi procesi zgjedhor, ku pas analizave u bë dhe zgjedhja e kryetarëve të rinj. U rinovuan dhe asambletë socialiste të njësive bashkiake, ndërsa më pas u kalua në propozimin e kandidatëve për kryetarë të asambleve socialiste. Procesi i zgjedhjeve në Tiranë ishte shtyrë për një kohë të gjatë për shkak të shumë përplasjeve që pati një vit më parë, kur për postin e kryetarit të PS në njësinë bashkiake ishin ofruar disa kandidatë e ku mungonte konsensusi për të pranuar një prej tyre. Zgjedhjet e krerëve të asambleve të njësive bashkiake do të përfundojnë në fund të këtij muaji, ndërsa më pas, Asambleja e zgjeruar e Tiranës do të zgjedhë strukturat drejtuese, sekretariatin dhe komisionet e punës. Në përfundim të këtij procesi pritet që strukturat socialiste të Tiranës të nisin fushatën zgjedhore dhe organizative në funksion të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013. Qarku i Tiranës, ku qyteti ka një peshë të madhe elektorale, ka dhe numrin më të madh të deputetëve, ndërsa lufta politike do të jetë më e përqendruar.