Qeveria e re, sot firma e Topit
ADI SHKEMBI
Presidenti Bamir Topi pritet të hedhë sot firmën mbi propozimet e kryeministrit Sali Berisha për emrat e ministrave të rinj të kabinetit qeveritar. Kreu i shtetit ka shtatë ditë kohë për të ushtruar këtë kompetencë. “Ministri emërohet dhe shkarkohet nga Presidenti i Republikës, me propozim të Kryeministrit, brenda 7 ditëve. Dekreti shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”, thuhet në nenin 98 të Kushtetutës. Megjithatë, pavarësisht afatit që vendos ligji themeltar i shtetit besohet se ai nuk do të shfrytëzojë të gjitha limitet kohore. Kjo për shkak edhe të vizitës në 21 shtator në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Jashtëm, Ilir Meta me rastin e sesionit të punimeve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Kryeministri Berisha përjashtoi pak ditë më parë gjatë një intervistë në emisionin “Opinion” çdo mundësi që kreu i shtetit të kthejë ndonjë prej emrave të propozuar prej tij në kabinetin qeveritar. “Në të drejtën kushtetuese ministrat janë atribut i Parlamentit dhe kryeministrit. Ky është një atribut i kushtëzuar i Presidentit. Nuk është një funksion ky jashtë qeverie. Në një republikë parlamentare nuk ekziston kurrë president që mund të mbajë apo të vendosë ministra. Pastaj që këtu humbet parlamentarizmi. Qeveria është atribut i Parlamentit. Eshtë Parlamenti ai që ka të drejtë t’i heqë dhe t’i vendosë ministrat. Janë mekanizma tërësisht parlamentarë, jo presidencialë”, deklaroi kreu i ekzekutivit. Pas dekretimit të emrave të ministrave, pritet që të mërkurën ose të enjten të mblidhet Parlamenti, i cili do të votojë qeverinë si dhe programin që do të lexohet nga kryeministri Berisha. Koalicioni i djathtë ka deri tani 74 vota në Parlament, të konfirmuara së fundi edhe me votimit për kryetaren e Parlamentit, Jozefina Topalli, ndërkohë që opozita pritet ta bojkotojë edhe seancën kur do të votohet qeveria. Në përfundim të votimit të dekreteve, ministrat e rinj do t’i drejtohen sërish Presidencës, ku para kreut të shtetit do të bëjnë betimin dhe pas saj do të shkojnë në selinë e Këshillit të Ministrave kur do të bëhet edhe seanca e parë. “Para fillimit të detyrës, Kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës”, thuhet në nenin 99 të Kushtetutës. Pas konsultimeve me aleatët dhe në përfundim të procedurës së verifikimit të mandateve, partitë e koalicionit të djathtë dërguan në presidencë propozimin për të emëruar Sali Berishën si kryeministër. Pas dekretit të nxjerrë nga Topi, kreu i qeverisë në detyrë, publikoi të mërkurën në mbrëmje kabinetin e tij të ri të mandatit të dytë.