PS ekspozitë në Bruksel, Rama: Shqipëria meriton një të tashme Europiane
Partia Socialiste ka zgjedhur një mënyrë krejt të veçantë dhe origjinale për të promovuar imazhin e vendit tonë në këtë vit të përvjetorit të 100 të pavarësisë, por edhe në një moment delikat siç është shqyrtimi i kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Një ekspozitë me 50 harta të trojeve arbërore të vizatuara në harkun e 17 shekujve, e titulluar "Euro-Albanian Contacts" është organizuar nga Partia Socialiste në mjediset e Parlamentit Europian. Ajo është e para ekspozitë e këtij lloji, që paraqet kartografinë e trojeve arbërore në shekuj.
Mesazhi që përcjell kjo ekspozitë është se historia e Shqipërisë është ajo e një vendi që për një kohë të gjatë ka lulëzuar në gjirin e kontinentit të vjetër dhe se e ardhmja e saj është e destinuar për të qenë në Europë, pavarësisht zikzakeve që ka kaluar gjatë sistemit diktatorial, apo tranzicionit të tejzgjatur drejt demokracisë.
Në fjalën e mbajtur në çelje të ekspozitës kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama shprehu besimin e tij të palëkundur se Shqipëria është e gatshme për të rilindur sërish duke kthyer një faqe të re të historisë së saj, në kapitullin e Bashkimit Europian. Sipas tij “Shqipëria nuk meriton thjesht një të ardhme europiane. Ajo meriton një të tashme europiane”.
Edi Rama, Kryetar i PS, mes qindra pjesëmarrësve është shprehur edhe për ekspozitën duke thënë se “Bukuria e këtyre hartave të vjetra qëndron tek fuqia e jashtëzakonshme që ato ushtrojnë tek kushdo që bie në kontakt me to. Kur shoh këto harta historike unë shoh Shqipërinë time. Shoh një Shqipëri europiane që ka qenë pjesë e këtij kontinenti prej shekujsh e shekujsh me radhë.”
Më pas Edi Rama përçoi edhe mesazhin e rëndësishëm të dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë pavarësisht se pushteti nuk e meriton. Ashtu siç është shprehur edhe më herët lideri i opozitës, është populli ai që nuk mund të penalizohet për të tretën herë për shkak të keqqeverisjes:
“Dua që këtu të jap një mesazh të qartë: pushteti aktual mund të mos e meritojë statusin kandidat, por atë e meriton populli shqiptar. Prandaj këtu ju kërkoj dhe uroj që të gjithë ju të mbështesni popullin shqiptar. Por në të njëjtën kohë, ju kërkoj të jini dhe vigjilentë. E di nga përvoja e hidhur, se zgjedhjet në Shqipëri mund të fitohen dhe humben, jo me vota, por me manipulime dhe vjedhje. Nuk mund dhe nuk duhet të lejojmë që kjo të ndodhë sërish. Ju kërkoj të jini vigjilentë dhe të kuptoni rrezikun, dhe ju kërkoj të qartësoni paraprakisht pasojat serioze për ambiciet europiane të Shqipërisë, nëse praktikat e së kaluarës nuk mbulohen nga pluhuri i historisë, ku e kanë dhe vendin.”
Rama në cilësinë e liderit të opozitës iu është drejtuar krerëve të Parlamentit Europian që ishin prezent në këtë event:“Unë e di se cilat janë pengesat dhe jam i gatshëm t`i heq ato. Pavarësisht problemeve në Eurozonë, e ardhmja jonë është në Europë. Unë jam i bindur se rruga Europiane është rruga e drejtë që duhet ndjekur. Unë jam i qartë për ndryshimet që na nevojiten dhe për përpjekjet që duhet të bëjmë për t`i arritur.”
Përshtypjet e pjesëmarrësve ishin të shumta dhe interesante. Libor Rouçek, ZëvendësPresident i Socialdemokratëve në PE thotë në këtë Ekspozitë se është e rëndësishme të shihet se Shqipëria është në hartën e Europës që prej 2000 vjetësh.
Angel Martines, Zv president i PE, një prej iniciatorëve të hapjes së kësaj Ekspozite në mjediset e Parlamentit Europian thotë se “Kjo ekspozitë dëshmon përtej ç`do dyshimi që Shqipëria është pjesë e Europës. Është pjesë e gjeografisë europiane, është pjesë e historisë europiane, është pjesë e kulturës europiane, por Shqipëria ndan me ne jo vetëm gjeografinë, historinë dhe kulturën, por edhe problemet që ndajmë të gjithë.”
Eduard Kukan, Kreu i delegacionit për Ballkanin në PE, që vjen nga partitë e djathta të këtij parlamenti është shprehur se hapja e kësaj ekspozite është një ndihmë për vendin dhe një mesazh shumë i rëndësishëm për të njohur lashtësinë e qytetërimin e vendit.
Përreth katër ditë, në ambientet e Parlamentit Europian në Bruksel u ekspozuan 50 harta dhe 50 libra mbi Shqipërinë. Në javët e ardhshme kjo ekspozitë do të zhvendoset në Tiranë ku do të jetë e hapur për publikun shqiptar.